Rrëfim ndryshe duke thënë të njëjtat gjëra

Postuar në 20 Korrik, 2021 15:05

Rrëfimi ndryshe i Ramës për revistën italiane.

Kjo frazë katundareske është pjesë e titullit të një “lajmi” që gazeta “Tema” ka publikuar sot në faqen e vet online. Pasi bën një hyrje të vetën përmes së cilës na njoftohet se z. Rama ka folur për revistën “Arte”, gazeta e përcjellë të plotë shkrimin. Fraza autodenoncon disa gjëra: nevojën tonë të përhershme për të marrë afirmimin gjetiu se jemi të veçantë, kompleksin e mediave që çdo gjë që thuhet jashtë e quajnë me vlerë, sikundër faktin se qarkullimi i copëzave të tilla janë asgjë më shumë sesa kufiza propagandistike.

Nëse lexon të ashtuquajturin rrëfim “ndryshe”, aty përsëritet e njëjta “romancë gazetareske” me kryeministrin artist, që strehon sa kuriozitetin e intervistuesit përballë këtij gagareli të politikës që di të shesë diçka prej bohemi, artisti, në punën e politikanit, duke u vetëshërbyer kështu si një lloj këpuce llustrafinë e llojit monk, por me 6 zava si e si për të bërë diferencën.

Shtesa artistike e z. Rama në lëmin e politikës është sasiore dhe jo cilësore në krahasim me të ngjashmit e tij në politikë, sepse ai është edhe basketbollist, polemist, publicist, mik i kriminelëve që i bëri me mandat. Polimorfia e tij karakteriale reflektohet në këtë kuadër si mani për të eksperimentuar me veten pa bërë asgjë saktë deri në fund.

Por t’i lëmë konsideratat për këtë gjeni të rrallë të këtyre anëve ku gjeniu është mall konsumi. 

Në një moment të rrëfimit ndryshe, z. Rama thotë se babai i vet “shqetësohej për problemet që mund të kisha për shkak të ideve të mia, por ai kurrë nuk e pengoi lirinë time”. 

Cilat ide ka patur z. Rama? Madje jo vetëm ai, po brezi i tij? Idetë janë koncepte abstrakte dhe ato nuk mund të ngatërrohen thjesht me aftësinë formuluese dhe artikuluese.

Ky vend, kjo shoqëri nuk ka për fat të keq asnjë Ide, asnjë të vetme. Shteformimi, shtetndërtimi dhe ai ashtuquajtur reformizëm yni është asgjë më shumë sesa kopjim i modeleve ekzistuese, përshtatur dhe degraduar në nivelin e përgjithshëm tonin. Arti i z. Rama, ai i para viteve ’90, kur kryeministri pretendon se kishte ide problematike, nuk dihet të përfaqësojë asgjë ndryshe, asgjë kritike, apo disidente.

Z. Rama mundet të jetë duke ngatërruar kritikën e vet për kohën kur ishte i ri me idetë. Mirëpo ky është dallim i madh, sepse kritika është një material parafabrikat, shpesh retorik dhe ajo lind edhe duke ngacmuar shqisat, jo vetëm mendjen. Ne të gjithë jemi kritikë, edhe me llojin e humorit që bëjmë. Edhe Enver Hoxha bënte autokritikë, madje e nxiste atë.

Rrëfimi kaq ndryshe vazhdon me itinerarin e Edit pas vitit ’90 që e dimë të gjithë. Galeri, art, kryetar bashkie, kryeministër. Jeta e një shqiptari që rend pas pushtetit të cilin e kupton si mundësi për konsum. Në fund të fundit skic-ideja jonë për ndryshimin, për lirinë u provua se lidhej me konsumin, me stomakun. Aq e vërtetë është kjo saqë sot ky artist që vetëtin në qiellin e zymtë të historisë shqiptare është garantuesi i këtij sistemi të zhvatjes me ligj e kushtetutë, që ligjëron dhe përdhos çdo etikë të rendit të gjërave duke imponuar një episod të radhës, të dhunshëm të asaj që është kundërhistoria e qytetërimit. Sepse në fakt ne një të tillë e kemi, një kundër-histori që ilustron sesi zhbëhet çdo gjë, por jo si ndërtohet diçka.

Por t’i shumëzojmë me zero të gjitha këto: cili është rrëfimi ndryshe i këtij 57 vjeçari që ka folur e shkruar sa pak të tjerë?

s.zaimi

Comments

Submitted by Shkurt e Qarte (not verified) on

O Zot, sa i afte eshte ky CAR

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.