Mbi 150 viktima nga përmbytjet në Europë
Numri i të vdekurve nga përmbytja katastrofike në Evropën Perëndimore arriti sot në mbi 150. Sipas autoriteteve gjermane, më shumë se 90 viktima janë konfirmuar në rajonin Ahrweiler në perëndim të vendit, një nga zonat më të goditura. Të premten, bilanci i viktimave në këtë rajon ishte 63.
43 persona të tjerë u konfirmuan të vdekur në shtetin fqinjë të Rhine-Westphalia, më i populluari në Gjermani. Transmetuesi belg RTBF njoftoi se numri i të vdekurve në Belgjikë arriti në 27 të shtunën.
Ujërat kanë nisur të tërhiqen në rajonet më të prekura, por zyrtarët ia kanë frikën rritjes së bilancit të viktimave, pasi shumë makina dhe kamionë janë marrë nga rryma e ujit.
Shumë zona janë ende pa energji elektrike dhe shërbim telefonik.
Përveç Gjermanisë dhe Belgjikës, dy shtetet më të goditura, edhe pjesa jugore e Holandës është përfshirë nga përmbytje të mëdha. Ndërsa në Zvicër, reshjet intensive kanë bërë që disa lumenj dhe liqene të kapërcejnë brigjet. Autoritetet në qytetin e Lucernit mbyllën disa ura këmbësorësh mbi lumin Reuss.
Add new comment