Gjermania tërhiqet përfundimisht nga Afganistani
Gjermania ka përfunduar procesin e tërheqjes së trupave ushtarake nga Afganistani, raporton Reuters. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer njoftoi se ushtari i fundit gjerman la Afganistanin të martën në mbrëmje. Tërheqja e trupave gjermane, pas një pranie 20-vjeçare si pjesë e forcave ndërkombëtare, vjen pas vendimit të presidentit amerikan për të tërhequr trupat nga Afganistani deri në 11 shtator. Gjermania ka qenë vendi i dytë me praninë më të madhe në Afganistan, pas SHBA-ve.
Prej vitit 2001, në Afganistan kanë shërbyer 150 mijë trupa gjermane. Gjatë kësaj kohe kanë humbur jetën 59 prej tyre.
Para fillimit të tërheqjes, Gjermania kishte ende 1 100 ushtarë që vepronin si pjesë e misionit stërvitor dhe mbështetës të NATO-s me 9 600 trupa – misioni i dytë pas pranisë ushtarake të SHBA.
Edhe Britania, Italia dhe Turqia kanë një prani të konsiderueshme ushtarake atje, me rreth 6000 ushtarë.
Kontribuesit më të vegjël janë Danimarka, Estonia dhe Spanja, të cilët tashmë i kanë tërhequr forcat e tyre.
Ndërkohë, situata e sigurisë në Afganistan është përkeqësuar.
Luftimet janë shtuar që nga fillimi i majit kur ushtria amerikane filloi tërheqjen e trupave. Mendihet se talebanët kohët e fundit kanë marrë nën kontroll më shumë se 100 nga mbi 400 rrethe në të gjithë Afganistanin.
Të martën, gjenerali Scott Miller, komandanti i lartë amerikan në Afganistan, nuk e përjashtoi kryerjen e sulmeve ajrore kundër talebanëve nëse ata vazhdojnë me fushatën e tyre.
Add new comment