Homo Longi "ndërhyn" mes Sapiensëve dhe Neandertalëve
Pas zbulimit të një specieje të re të Neandertalit, vjen ajo e fosileve të një specieje të re njerëzore, Homo longi ose 'Njeriu Dragua'. Emërtimi është frymëzuar nga vendi në Kinë, ku u gjetën eshtrat: 'Long Jiang', që do të thotë 'lumi i Dragoit'.
Zbulimi është botuar në revistën “Innovation” në tre studime të koordinuara nga Akademia Kineze e Shkencave dhe Muzeu i Historisë Natyrore në Londër. Specia e zbuluar rishtas ka jetuar 146 000 vjet më pare dhe mund të jetë “kushëriri” më i afërt i species sapiens, një lidhje edhe më e afërt se Neandertalët. Këto përfundime nuk bindin një pjesë të komunitetit shkencor, që sheh si më të afërt një specie tjetër të njohur tashmë, Denisovanët.
Zbulimi u bë duke analizuar me teknika të reja një kafkë fosile shumë të madhe, të krahasueshme me atë të Sapiens, e ruajtur në mënyrë pothuajse të përsosur, e gjetur rreth 100 vjet më parë pranë qytetit kinez Harbin. Speciet e reja mund të përfaqësojnë “kushëririn” më të afërt me Sapiens, ngul këmbë Xijun Ni, nga Akademia Kineze e Shkencave dhe autori i parë i njërit prej dy studimeve.
Megjithatë, pozicioni i një pjese të komunitetit shkencor, duke përfshirë Giorgio Manzi, paleoantropolog i Universitetit La Sapienza të Romës, është i kujdesshëm: "Unë nuk mendoj se mund të flasim për një specie të re, as për “kushërinjtë” më të afërt me Sapiens. Përkundrazi, gjetja është e rëndësishme për të përcaktuar më mirë linjën e të ashtuquajturve Denisovanë, hominidët për të cilët ende dimë pak, por që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në evolucionin njerëzor".
Add new comment