UNESCO paralajmëron Romën: Venecia mund të hyjë në listën e zonave të rrezikuara
Venecia mund të futet në listën e vendeve të rrezikuara nëse autoritetet lokale nuk ndalojnë hyrjen e anijeve të mëdha në lagunë. UNESCO pritet ta shqyrtojë një vendim të tillë në seancat e saj në 16-31 korrik, raporton ANSA. Nëse merret një vendim i tillë, agjencia për mbrojtjen e trashëgimisë mund të kërkojë veprim urgjent nga qeveria italiane deri në shkurtin e ardhshëm.
Në fillim të qershorit, venecianët u kapën në befasi kur një kryqëzor u fut në lagunë për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, pavarësisht se qeveria italiane ka njoftuar për ndalimin e anijeve në qendrat historike. Plani ishte që anijet të devijoheshin në portin industrial të Marghera ndërsa ishin bërë plane për ndërtimin e një terminali lundrimi jashtë lagunës.
Dekreti u miratua nga dhoma e ulët e parlamentit italian në prill, por do të duhet një punë e madhe në infrastrukturë për të bërë të mundur ridrejtimin e anijeve të lundrimit në portin Marghera.
Ndërkohë, e vetmja mënyrë që anijet të hyjnë në Venecia është përmes kanalit Giudecca, ku në qershor 2019 dy anije u përplasën duke lënë të plagosur pesë persona.
Në qeverinë italiane, këtë duket se po e marrin seriozisht.
“Vendosja e Venecias në listën e rrezikut do të ishte një problem serioz për vendin tonë dhe nuk ka më kohë për të humbur. Një hap i rëndësishëm është ndërmarrë tashmë me dekretin e fundit, por ne duhet të bëjmë më shumë dhe menjëherë të parandalojmë kalimin e anijeve të mëdha në kanalin Giudecca", tha ministri i Kulturës, Dario Franceschini.
Figura të njohura të artit, përfshirë Mick Jagger dhe Tilda Swinton, me anë të disa letrave i kanë kërkuar Romës të ndërmarrë veprime urgjente për të mbrojtur lagunën.
Add new comment