Asnjë lëshim Erdoganit!

Postuar në 22 Qershor, 2021 12:08

Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmërojnë ndryshime në politikën e jashtme në rajonin tonë, të paktën lidhur me protagonizmin e tyre përkundrejt veprimeve dhe politikave që sfiduan rendin e deritanishëm. Në një intervistë të shkurtër për gazetën greke “Kathimerini”, kryetari i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, senatori Bob Menendez, thotë se partneriteti strategjik 3+1 mes Greqisë, Qipros, Izraelit dhe SHBA mund të sjellë përfitime të mëdha dhe të shërbejë si bllok ndaj ambicive dhe politikës gërryese turke të drejtuar nga Reçep Tayyip Erdogan. Menendez nënvizon realitetin e marrëdhënieve dypalëshe greko-amerikane, që sipas tij nuk kanë qenë kurrë më të forta sesa tani, duke sinjalizuar ndryshime të mëdha. Ose se të paktën në SHBA po lobohet për të devijuar nga qëndrimi pasiv në Mesdhe.

Marrëdhënia dypalëshe SHBA-Greqi nuk ka qenë kurrë më e fortë dhe bashkëpunimi ushtarak është një shtyllë kyçe. Me ndërveprimin 3+1 mes Qipros, Greqisë, Izraelit dhe SHBA në bazë të tij, nuk ka më kufij për potencialin e këtyre marrëdhënieve dhe bashkëpunimit tonë në rajon

shprehet Menendez.

Ai qëndron pas East Med Act, miratuar në dhjetor të vitit 2020 i cili konsideron zhvillimin e një trekëndëshi të energjisë në Mesdheun Lindor, heq embargon e armëve ndaj Qipros, akordon financime për trajnim ushtarak ndaj Qipros dhe Greqisë, si dhe i ndalon shitjen e avionëve F-35 Turqisë, derisa kjo e fundit të bëhet siç cilësohet në dokument, një partner i besueshëm.

Lidhur me të gjitha këto, Menendez vlerëson se akti në fjalë nuk duhet parë si antiturk, por si hap për konsolidimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Greqisë. Megjithatë në sferën e sigurisë, lëvizjet  e Erdogan kanë rënë në sy dhe nuk kanë kaluar pa u mbajtur shënim. 

Kam të gjithë besimin se presidenti Biden do të vazhdojë të jetë i vendosur me Erdogan dhe të çojë përpara interesat kombëtare të sigurisë së SHBA kur vjen puna te blerja nga Turqia të sistemit S-400 dhe aktet e saj destabilizuese në Mesdheun Lindor, mbështetja për autokratët në Azerbajxhan dhe trajtimi jodemokratik i popullit turk. Kjo duhet të jetë axhenda e të gjitha takimeve tona me Turqinë dhe unë kërkoj me forcë që ndaj z. Erdogan të mos bëhet asnjë lëshim pa një ndryshim domethënës të sjelljes së tij në të gjtha këto drejtim

shprehet senatori në fjalë.

Një mesazh direkt dhe me implikime serioze tashmë që Erdogan ka shkuar shumë para në realizimin e axhendave të tij, nga të cilat nuk mund të tërhiqet pa kosto të mëdha. P.sh Turqia është aktor kryesor në situatën në Siri, në Qipro, në Libi, në Ballkan dhe në Liban apo Algjeri deri diku. Ajo ka pretendime strategjike për kufijtë detarë dhe të drejtat e kërkimit apo shfrytëzimit të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor duke shpalosur qartë kërkesën për rishikimin e rendit ndërkombëtar në fuqi.

Përkundrejt këtyre sjelljeve, Perëndimi ka mbajtur qasjen e një merkantilizmi politik: më shumë humbasim nëse e humbasim Turqisë, sesa fitojmë. Nga ana tjetër mbi Turqinë e Erdogan ka interesa nga Europa që i ka lënë Ankarasë barrën e bllokimit të valës migratore nga Lindja e Mesme, diçka që SHBA nuk e ndjen si problem.

Në këto kushte, politika e re amerikane, siç propozohet nga Menendez do të riciklonte të paktën një krizë nervore në një zonë që është në prag të shpërthimit dhe është e paqartë se deri në cilën pikë mund të angazhohet SHBA në rast të një tensionimi në shkallë të gjerë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.