Gramoz Ruçi njofton tërheqjen nga PS
Një nga figurat më të vjetra të PS dhe kryetar i Parlamentit aktual, Gramoz Ruçi, njoftoi sot tërheqjen nga të gjitha funksionet në PS. Ruçi zgjodhi Kongresin e PS-së për të bërë publik vendimin e tij.
“Do deklaroj fundin e kësaj maratone dhe si çdo maratonë ka startin dhe finishin. Prandaj kam zgjedhur që s’ka më mirë se në këtë 30-vjetor të PS, s’ka më mirë që sot kur kemi fituar këtë mandat të drejtë, pas disa muajsh mbush 70 vjeç, që të deklaroj para jush se në 9 shtator që fillon legjislatura e re nuk do të ushtroj mandatin që më ka dhënë PS dhe se nuk do të kem ambicie për të qenë në asnjë organ ekzekutiv të familjes sime. Prandaj për ta mbyllur falënderoj Nanon dhe Ramën që e kam pasur privilegj të jem bashkëpunëtori i tyre. Të falenderoj të gjithë”, tha Ruçi.
Gramoz Ruçi fitoi një mandat deputeti në qarkun e Fierit në zgjedhjet e 25 prillit. Pas tërheqjes së tij, mandati i kalon Mirela Pitushit.
Aktiv edhe në politikën e para '90-s, prej 30 vitesh në Partinë Socialiste, Ruçi ka mbajtur detyra të rëndësishme në qeveritë e majta dhe në PS. Në kabinetin e parë të kryeministrit Fatos Nano, ai ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm. Më pas ka qenë sekretar i Përgjithshëm i PS-së në 1991-1996 dhe 1999-2005, ndërsa më vonë ka kryer funksionin e kreut të grupit parlamentar të PS-së. Ai drejton Kuvendin që prej 9 shtatorit 2017.
Add new comment