Smartfoni “socialist” i Kubës
Tre vjet pasi interneti nisi të përdoret në smartfonët e kubanëve, Havana do të lançojë telefonët e vet inteligjentë. Deri në fund të qershorit, Kuba do të ketë pajisjen e tij të parë "socialiste", siç është pagëzuar nga rrjeti smartfoni i parë i prodhuar në vend. Aparati është prodhuar nga kompania shtetërore Gedeme dhe do të përdorë NovaDroid, një version i sistemit operativ Android, i modifikuar për të përmbushur nevojat e qytetarëve kubanë, të cilët nuk mund t’i përdorin të gjitha shërbimet teknologjike.
Kjo pajisje do të ketë një vlerë simbolike dhe është një prirje teknologjike e vetë-mjaftueshme e miratuar tashmë nga disa vende të tilla si Rusia.
Sipas radios vendase “Rebelde”, 6 000 njësitë e para do të shpërndahen deri në fund të muajit përmes dyqaneve Etesca dhe kompanisë telefonike shtetërore.
Në 2018 Havana u dha akses në internet qytetarëve. Deri në atë kohë, shërbimi ofrohej vetëm në hotelet e frekuentuara nga turistët.
Smartfoni i parë i prodhuar në vendin që është ende nën sanksionet amerikane duhet parë si njëfarë kundërpërgjigje ndaj këtyre të fundit, njësoj si dy vaksinat që Kuba ka prodhuar deri tani vetë, për t’i bërë ballë pandemisë. Megjithatë, në vend, numri i infeksioneve mbetet ende i lartë.
Add new comment