“Nuk kemi prova se janë alienë, por edhe mund të jenë”
Inteligjenca amerikane nuk ka gjetur asnjë provë që fenomenet e çuditshme ajrore të raportuara nga pilotët e Marinës vitet e fundit të kenë qenë anije kozmike aliene. Megjithatë, raporti nuk arrin të shpjegojë lëvizjet e pazakonta që kanë çorientuar shkencëtarët dhe ushtrinë.
Një raport i deklasifikuar i dorëzuar në Kongres, të cilit i referohet “New York Times”, thotë se më shumë se 120 incidente të raportuara në dy dekadat e fundit nuk e kanë origjinën as te Ushtria Amerikane dhe as te teknologjia sekrete e qeverisë. NYT citon drejtues të lartë të administratws, të cilët kanë detaje mbi gjetjet e raportit.
Një version tjetër i deklasifikuar i këtij raporti pritet të dalë në Kongres deri më 25 qershor. Megjithatë, ajo që mbetet e pandyrshuar është fakti se qeveria amerikane nuk mund t’i përjashtojë përfundimisht teoritë që këto fenomene të raportuara nga pilotët ushtarakë mund të jenë anije kozmike aliene.
Kurioziteti shumëvjeçar i amerikanëve për UFO-t është intensifikuar në javët e fundit në pritje të publikimit të raportit të qeverisë. Ish-Presidenti Barack Obama zgjoi më tej interesin kur u pyet muajin e kaluar në lidhje me incidentet në "The Late Late Show with James Corden" në CBS.
"Ajo që është e vërteta, dhe unë po tregohem serioz këtu, - tha Obama, - është se ka pamje dhe regjistrime të objekteve në qiell që ne nuk e dimë saktësisht se çfarë janë."
Raporti pranon se shumë nga fenomenet e vëzhguara mbeten të vështira për t'u shpjeguar, përfshirë shpejtësinë që objektet fitojnë krejt papritur, si dhe aftësinë për të ndryshuar drejtimin.
Add new comment