Opozitarizëm skenik

Postuar në 02 Qershor, 2021 17:48

Lulzim Basha ka nisur të flasë shumë. Madje ai po refuzon të ndalet. Njeriu që di të heshtë me ditë edhe kur në media shpërthejnë skandale, njeriu që e ka virtyt origjinal dredhjen e muhabetit si i thonë, ka vendosur të mos ndalë së foluri. Qytet më qytet, fshat më fshat e degë partie më degë. Sipas z. Basha ne po jetojmë nën një regjim, regjimin Rama-Doshi, i cili është në pikëpamje leksikore një tretësirë e reduktuar për arsye misterioze, e regjimit Rama-Doshi-Rakipi. Çfarë thotë z. Basha që vazhdon të jetë kryetar i PD-së deri në zgjedhjet e ditës ters, 13 të qershorit misionar të 2021-t?

Këtu jam pas një turi të gjatë nga jugu në veri, e që do të vazhdojë sigurisht edhe me takimet e tjera, i cili më ka dhënë një mundësi që të jem pranë jush, siç ishim gjatë ditëve të fushatës. Një fushatë e jashtëzakonshme sepse u bë nga njerëz të jashtëzakonshëm, u bë nga ju, u bë nga ne demokratët, të vetëdijshëm se kë kemi përballë dhe çfarë kemi përballë, ne zgjodhëm prapë se prapë rrugën e vlerave dhe dolëm përballë makinerisë së shtetit të bërë njësh me partinë dhe partisë së bërë njësh me shtetin e të përzierë me paratë e ndyra të krimit dhe të oligarkisë, zgjodhëm të dilnim me njerëz të ndershëm në krah, me njerëz të kontributeve e të sakrificës historike në Partinë Demokratike, me intelektualë e profesionistë të sprovuar të cilët kanë dhënë e japin një kontribut të jashtëzakonshëm në formësimin e vizionit dhe programit tonë.

Sepse vëllezër dhe motra ne në asnjë moment gjatë kësaj fushate nuk hoqëm dorë vlerat tona, nga ato që na diferencojnë prej ditës së parë të lindjes me kundërshtarin tonë historik. Ne jemi këtu të gjithë së bashku rreth këtyre vlerave. Ne na bashkon të gjithëve dëshira, vullneti por edhe besimi dhe bindja se kjo parti politike e lindur nga Lëvizja e Dhjetorit, ka një mision dhe një përgjegjësi mbi supe të cilën nuk mund ta tjetërsojë asnjë moment

ka thënë dje z. Basha në Prezë dhe Bërxullë.

Sigurisht që recitime të tilla janë tashmë normalitet në një vend ku politika e ka përjashtuar humbjen si mundësi. Në këtë kuadër, z. Basha nuk po ndërton një narrativë, por një avokati për veten, ndërkohë që e di shumë mirë se brenda një logjike cinike ai ka dalë i fituar në krahasim me situatën parazgjedhore.

Zoti Basha drejton tashmë një grup parlamentar dhe nëse do të flasim me termat e paspolitikës, fitimet e një subjekti që ka këtë forcë, janë ku e ku më të mëdha sesa pa të. Ndaj është e kuptueshme se përse ky aktor pa interes do të thotë këtë që thotë më poshtë ku i drejtohet moralit.

Partia Demokratike doli nga kjo betejë më e fortë dhe më e madhe, në bindjen time më të thellë, prej dy faktorëve kryesorë: së pari sepse ka qenë, është dhe mbetet parti e vlerave, parti për shqiptarët dhe e shqiptarëve. E ndaj shqiptarët na ndoqën, sepse e besuan dhe e besojnë se betejën e bëmë dhe do ta bëjmë për ta. Prandaj nuk ka gëzim në kampin kundërshtar, sepse e di që nuk ka vjedhur thjesht fitoren tonë, por ka vjedhur aspiratën e shqiptarëve për ndryshim, ka tjetërsuar vullnetin dhe shpresën e tyre për ndryshim dhe se gjurmët e këtij krimi ndodhen kudo të shënuara, jo thjesht dhe vetëm në institucione, por në mendjet dhe shpirtrat e të gjithëve atyre që besuan dhe kërkuan ndryshimin.

Dhe së dyti, sepse pavarësisht të gjithë përpjekjeve të kundërshtarit për të na përçarë, jo sot, por sot e mot, që në muajt e parë të lindjes së kësaj partie janë thyer njëra pas tjetrës si shkopinj. Bashkimi dhe vlerat janë dy faktorët që Partia Demokratike ka dalë nga të gjitha sfidat ballëlartë. Janë dy faktorët, sepse në 25 Prill në vend që të gjunjëzoheshim, në vend që të zvarriteshim, në vend që të përgjysmoheshim, dolëm të fortë, të bashkuar dhe të vendosur

Cili është kuptimi real i kësaj retorike? Kujt i drejtohet ajo dhe çfarë passjell veç mbulimit mediatik të dikujt që po do të thotë jam gjallë?

Askujt veç faktit se e gjitha kjo është një manovër për konsum të brendshëm, e cila ka nevojë për armikun e jashtëm. Që sot shpallet edhe si kundërshtar historik,  por me të cilin ka patur përherë një Mukje të padenoncuar. Një marrëveshje që zgjidh vetëm një stabilitet personal dhe grupazhi, por që siç edhe u provua nuk ofron asnjë rrugëdalje për vendin. Dhe është interesante edhe pse e kuptueshme se përse të ashtuquajturit kundërshtarë të z. Basha nuk rendisin si arsye të humbjes së PD-së, flirtimin e saj me pushtetin, por djegien e mandateve të deputetit që në finale ishin i vetmi akt i një opozitarizmi real, ndonëse skenik. Siç është opozitarizmi i tanishëm i z. Basha që ka bërë një pakt me veten të flasë e të flasë… derisa halli me partinë të mbyllet.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.