Mandati i Artan Dulakut penalizon Shoqatën e Ndërtuesve në kërkesën për 3% e ndërtimit për strehim social
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka rrëzuar me një vendim të datës 28 prill 2021 kërkesën e Shoqatës së Ndërtuesve që kërkonte shfuqizimin e nenit 19 të ligjit 22/2018 “Për strehimin social”. Neni në fjalë parashikon se:
Çdo subjekt privat që, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, aplikon për leje zhvillimi dhe ndërtimi për ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2.000 m2, siguron kalimin pa shpërblim e të paktën 3% të sipërfaqes funksionale, me kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik të banesave sociale. Kjo sipërfaqe, në rast pamundësie për t’u dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, mund të jepet në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi. Kontrata që nënshkruhet mes palëve për kalimin e sipërfaqes ndërtimore në favor të fondit publik të banesave sociale, regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Në pikën 2 të të njëjtit nen përcaktohet se nëse një subjekt që aplikon për leje zhvillimore për ndërtim banese, për efekt përfitimi, kërkon rritje të intensitetit të ndërtimit, në përputhje me standardet e miratuara në planin vendor dhe vetëm atëherë kur bashkia ka miratuar një plan vendor, atij mund t’i akordohet shtesa në intensitet përkundrejt përfitimit të një sipërfaqeje ndërtimi në favor të bashkisë për strehim social, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit
Dispozita në fjalë është kundërshtuar nga shoqata me disa pretendime, mes të cilave edhe pasoja financiare dhe ekonomike që ajo sjell, me shtrimin eventual të kostove të ndërtimit për metër katror. Në pretendimet e veta, shoqata ka paraqitur disa pika që lidhen me të drejtën mes të cilave ato se dispozita në fjalë cenon:
Lirinë e veprimtarisë ekonomike, të parashikuar në nenin 11, pika 3, të Kushtetutës, pasi shoqëritë e ndërtimit detyrohen të paguajnë një detyrim financiar me një ligj që nuk ka si qëllim specifik vendosjen e detyrimeve financiare. Kjo dispozitë është bërë në kundërshtim me kërkesat e nenit 17 të Kushtetutës, pasi nuk ekziston asnjë arsye publike dhe nuk respekton parimin e proporcionalitetit të ndërhyrjes.
Të drejtën e pronës private, të parashikuar në nenin 41 të Kushtetutës, pasi me dispozitën e kundërshtuar janë parashikuar procedura shpronësimi de facto, pa asnjë lloj kundërshpërblimi, në kundërshtim me rregullat kushtetuese për kufizimin e kësaj të drejte.
Parimin e barazisë përpara ligjit, të parashikuar në nenin 18 të Kushtetutës, pasi dispozita e kundërshtuar diskriminon drejtpërdrejt subjektet ndërtuese në raport jo vetëm me subjektet juridike në fusha të tjera, por edhe mes vetë shoqërive të ndërtimit.
Të drejtën e konsultimit publik, pasi shoqëritë e ndërtimit nuk janë konsultuar për metodologjinë e përdorur në hartimin e këtij detyrimi ligjor.
Nenet 155 dhe 157 të Kushtetutës, lidhur me detyrimet kushtetuese për tatimet, taksat dhe detyrimet financiare, pasi dispozita objekt kërkese, u ka vendosur shoqërive të ndërtimit një detyrim shtesë që nuk është e natyrës fiskale.
Zbatimi i dispozitës së kundërshtuar sjell pasoja të rënda dhe të pariparueshme, jo vetëm për shoqëritë e ndërtimit, por edhe për konsumatorët, ndaj Gjykata duhet të vendosë pezullimin e zbatimit të saj deri në dhënien e vendimit përfundimtar
Siç shihet në interpretimin e vet shoqata ka ofruar një qasje përgjithësuese, jo thjesht nga perspektiva e vet, meqenëse një politikë sociale e tillë që normalisht do të duhet të prekte paranë publike, në fakt aplikohet me pasoja financiare mbi subjekte private që thirren këtu me detyrim të kontribuojnë për zbatimin e saj. Gjykata e ka rrëzuar kërkesën duke vlerësuar se ligji në fjalë nuk cenon interesat ekonomike të individëve apo subjekte, të paktën jo në mënyrë të menjëhershme. Në argumentin e vet ajo ka prekur disa aspekte, mes të cilave bie në sy konstatimi prej Gjykatës i problemeve të përfaqësimit të shoqatës nga z. Artan Dulaku. Konkretisht Gjykata ka çmuar se:
Në seancën plenare të datës 15.4.2021, gjatë parashtrimit të kërkesave paraprake, subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, ka kërkuar verifikimin e legjitimimit të kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve, zotit Artan Dulaku, i cili ka nënshkruar prokurën për përfaqësimin e saj në gjykimin kushtetues, pretendim ky që nuk është ngritur në prapësimet me shkrim të depozituara prej tij. Sipas Këshillit të Ministrave, zotit Artan Dulaku i ka përfunduar mandati si kryetar i shoqatës që në vitin 2007 dhe ai nuk është riemëruar rishtazi në këtë cilësi, gjë e cila pasqyrohet edhe në vërtetimin e datës 14.4.2021, të lëshuar nga regjistri i organizatave jofitimprurëse, që për këtë qëllim u depozitua në seancë…
Në vijim të analizës së mësipërme, Gjykata vëren se Shoqata e Ndërtuesve vijon të ushtrojë veprimtarinë e saj si person juridik dhe ka zotësinë për të dhënë autorizime ose nënshkruar akte për përfaqësimin e saj në marrëdhënie me të tretët. Ndërkohë vërehet se për një hark të gjatë kohor, duke nisur nga viti 2007 (data e vendimit të bordit drejtues që ka zgjedhur kryetarin e ri), deri në momentin e shqyrtimit të kësaj çështjeje, nuk është kryer asnjë veprim tjetër juridik në drejtim të zgjedhjes së kryetarit të saj. Si përfundim, në kushtet kur gjatë gjykimit nuk u provua zgjedhja e zotit Artan Dulaku si kryetar i shoqatës pas vendimit të fundit të vitit 2007 të bordit drejtues të shoqatës, si dhe nuk u materializua në asnjë moment vullneti i shprehur i anëtarëve të shoqatës kërkuese për të iniciuar këtë gjykim kushtetues nëpërmjet zotit Artan Dulaku si përfaqësues i saj, Gjykata konstaton mungesën e legjitimimit të përfaqësimit të kërkueses nga zoti Artan Dulaku në Gjykatën Kushtetuese
Mbi këtë arsyetim Gjykata ka rrëzuar kërkesën e cila trajton një çështje që ka pasoja ekonomike dhe financiare, duke nënvizuar të drejtën e anëtarëve të tjerë të shoqatës për akses në shqyrtimin e mëtejshëm kushtetues. Me vendimin nuk ka qenë dakord kryetarja e Gjykatës, Vitore Tusha, sipas të cilës, gjykata duhet të pushonte çështjen, jo të rrëzonte kërkesën.
Megjithatë është për t’u konsideruar se një element përfaqësimi siç është mandati i paprovuar i z. Dulaku ka penalizuar një çështje të tërë. Dhe kjo thotë shumë për mënyrën sesi biznesi kërkon të lobojë apo fitojë mbrojtjen e interesave të veta, apo sesi ai është i strukturuar në organizime që presupozohet të jenë pjesë e institucioneve vendimmarrësve të këtij vendi.
Add new comment