Restaurim biologjik për t'u kthyer shkëlqimin skulpturave të Mikelanxhelos
Një projekt avangardë për të restauruar skulpturat prej mermeri në bazilikën e Shën Lorencit, në Firence. Risia qëndron në faktin se për të pastruar sipërfaqet e mermerit janë përdorur baktere. "Eksperimenti ka rezultuar i suksesshëm", tha Paola D'Agostino, drejtoreshë e Muzeut Bargello. Skulpturave prej mermeri të bardhë u është rikthyer shkëlqimi falë një restaurimi krejtësisht biologjik dhe absolutisht jo-agresiv.
Rezultatet e eksperimentit janë publikuar në një artikull të botuar nga "New York Times".
Përgjatë shekujve, papastërtitë kanë depërtuar në mermerin e bardhë Karrara të Sankristisë së Re, ku ndodhen varret e familjes Medici, duke krijuar njolla të thella. Për të asgjësuar këto papastërti është përdorur një bakter që njihet si "Serratia ficaria SH7", një mikroorganizëm që ushqehet me ngjitës, vaj dhe fosfate dhe që u përdor për të pastruar sipërfaqet e varreve të Lorenzo dhe Giuliano de 'Medici.
Projektimi i restaurimit, i nisur tetë vjet më parë, u parapri nga një fushatë fotografike nën dritë të fortë dhe nga inspektime fotografike me drita ultraviolet dhe infra të kuqe, të cilat konstatuan gjendjen e skulpturave dhe shërbyen për të orientuar zgjedhjet metodologjike të pastrimit.
Në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Kërkimeve, janë identifikuar zona të rëndësishme në secilën skulpturë dhe është verifikuar efektiviteti i pastrimit të kryer me tretës të butë dhe ujë të demineralizuar, duke respektuar njëkohësisht restaurimin e mëparshëm.
Verifikimet kimiko-fizike duke përdorur spektroskopinë kanë nxjerrë në pah praninë e proteinave dhe oksalateve të kalciumit në sipërfaqen e sarkofagut. Në fund është vendosur nisja e pastrimit bio me baktere specifike. Substancat e patretshme të mineralizuara dhe mbetjet e llaçit të çimentos u hoqën me pajisje lazer.
Add new comment