Një libër për rehabilitimin e Michael Goleniewskit - dezertorit kryesor të Luftës së Ftohtë
Gazeta britanike “The Guardian” raporton për publikimin e afërt të një libri të ri me autor Tim Tate, nën titullin: Spiuni që u injorua. Libri në fjalë trajton historinë e jashtëzakonshme të Michael Goleniewski, një operativ dhe zyrtar i lartë i shërbimeve sekrete polake, që punoi për sovjetikët, mandej për Perëndimin derisa në fund dezertoi. Sipas të dhënave, Goleniewski ekspozoi 1 693 agjentë të bllokut sovjetik, mes të cilëve edhe George Blake.
Asnjë dezertor apo agjent – përpara apo që nga ajo kohë – nuk ka identifikuar kaq shumë spiunë
shprehet Tate.
Libri merret edhe me një aspekt të njohur të fundit të Goleniewskit që u çmend për shkak të atyre që autori i librit i quan “lojëra të mendjes” së CIA-s e cila nuk e përmend dhe vlerëson agjentin polak ashtu siç duhet.
Dosjet dhe letrat e papublikuara më parë të Golenieëskit zbulojnë sesi CIA dhe DASH e tradhëtuan Goleniewskin, mohuan kontratën me të, e ngacmuan, shpifën dhe u përpoqën ta diskreditojnë dhe në fund e shtynë mendjen e tij edhe kështu të brishtë në çmenduri të plotë
vijon autori.
Sipas tij, roli i jashtëzakonshëm i tij në sigurinë kombëtare vendeve perëndimore është fshirë gjerësisht nga historia dhe ai mbahet mend për faktin se dikur, në periudhën kur nuk ishte më në gjendje normale mendore, deklaroi se ishte Alexei Romanov, djali i carit të fundit të Rusisë, Nikolla II. Golenieëski nisi bashkëpunimin me FBI-në në vitin 1958 kur në mënyrë vullnetare nisi të dërgonte letra me informacione për rrjetin agjenturor sovjetik duke e kushtëzuar atë me lidhjen me Byronë Federale, pasi vlerësonte se vetëm kjo agjenci nuk ishte mundur të depërtohej nga shërbimet sovjetike.
Dëmi i tij ishte kolosal dhe ndoshta është kjo arsyeja pse KGB-ja sovjetike ideoi një operacion të ri dizinformimi duke hedhur në perëndim, nën maskën e dezertorit, Anatoliy Golitsyn, i cili deklaronte se të gjithë ata që pretendonin se ishin dezertorë po bënin lojën e Moskës. Fjalët dhe loja e Golitsyn ndikuan aq sa në vitin 1964 CIA filloi të dyshonte mbi Goleniewskin. Kjo lojë i kushtoi karrierën njërit prej emrave më të njohur të shërbimeve amerikane, ish-shefit të kundërspiunazhit, James Jesus Angleton që thuhet se u manipulua nga Golitsyn dhe dëmtoi punën e shërbimeve. Tate thotë se ka disa të dhëna që ende presin të publikohen për agjentin polak, si p.sh disa dosje që ende ruhen në shërbimin britanik, MI5, sipas të cilit ato bartin ende ndjeshmëri për atë që përmbajnë.
Add new comment