Të Llapim për Ndryshimin!

Postuar në 16 Maj, 2021 18:47
Shaptilografisti

 

Kjo fushatë provoi se ne edhe propagandës së tyre mund t’i bëjmë ballë, ne mundemi ta shkatërrojmë atë: me zemër, me shpresë! Dhe këtë ne e bëmë-shqiptarët dolën me gëzim në zemër dhe votuan ndryshimin në 25 prill. Ata dje e donin me gjithë shpirt ndryshimin! Ata e duan ndryshimin edhe më shumë sot! Ndaj të bashkuar ju ftoj t’i prijmë forcën tonë betejës për ndryshimi për të gjithë demokratët dhe gjithë shqiptarët

Këto fjalë i atribuohen z. Lulzim Basha që thuhet se I ka shprehur ato në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike. Z. Basha këtu po interpreton votën e 25 prillit që sipas tij ishte votë e ndryshimit.

Mirëpo atij i vodhën apo i blenë zgjedhjet dhe kështu ndryshimi ngriu në akullin e vullneteve të paguara.

Për ndryshim flet tanimë kushdo. Edhe kryeministri deklaroi se erdhi koha e ndalimit të ndërtimeve pa leje. Burg për maskarenjtë që ndërtojnë pa karar, edhe pse ai vetë nuk la më qoshe të Shqipërisë pa dhënë leje legalizimi.

Për ndryshimin flasin analistët. Ca sepse ndryshimi është e vetmja shpresë kundër regjimit, ca sepse kështu largohet Lulzim Basha, të tjerë sepse duan të mbajnë veten në punë.

Inflacioni i përdorimit të këtij termi e bën atë të gatshëm për qitje revolucionare, ndonëse në të vërtetë Shqipëria dhe ne vetë as jemi gati dhe mesa duket as duam të ndryshojmë me të vërtetë. Ne thjesht llapim pa ndalim; llapim nga pozita e ziliqarit që nuk kemi gjë në dorë dhe se kështu i biem në sy pushtetit. Po nuk llapi Basha për ndryshimin dhe manipulimin, kush do ta begenisë? Askush.

Po nuk llapën analistët, kush do argaliset me molloisjet e tyre darkave? Po nuk foli kryeministri, nuk do duket ai shumë i plakur, i lodhshëm, përsëritës dhe monoton?

Ndryshimi na duhet të gjithëve. Pa dallim. Na duhet edhe sepse tashmë u bënë 30 vjet që ne jetojmë me devizën unike: Shtyhet ndonjë çikë? Hajd mo ta shtyjmë! Nuk shtyhet fare! Vazhdon kjo devizë, kjo bindje pavarësisht se këtu ka luftë, krim, se jemi të dytët në botë apo në Europë. Se hyjmë në NATO apo se dalim nga binarët. Nuk ka gjë që ta sfidojë psikologjinë në këtë vend.

Po kush e kërkon realisht ndryshimin? Nevoja, vizioni, inercia, distopia ku po biem? Asnjë nga këto. Mesa duket e kërkon dhjami i një elite që kërkon të potencojë fjalën e vet, t’i japë asaj formën e një vendimi moral, sepse nuk po hyn dot në karrigen e pushtetit të zënë dhe të menaxhuar nga një njeri.

Ndryshimi është asgjë më shumë pra se taktika e një urie të përgjithshme për të okupuar thesin dhe e një frike nga reforma në drejtësi. Për aq sa ajo jep goditje selektive në perspektivë. Ndryshimi është i tillë që do ruajë gjërat siç janë, duke turbulluar një ujë edhe kështu të qelbur sepse ky lloj ndryshimi nuk është I vërtetë. Nëse do të kishim një vlerësim realist për politikën në Shqipëri dhe gjendjen e saj, ndryshimi I vërtetë do të kërkonte masa dhe ndërhyrje radikale, të cilave u druhen të gjithë. Pa përjashtim. Edhe ata që prrallisin darkave për narkoshtetin. Të cilët janë në biznesin e ndotjes morale të mbarë shoqërisë që aktualisht nuk po e gjen më busullën.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.