Konflikti Izrael-Gaza, një kronologji e luftës së fshehtë dhe të pamëshirshme midis Hamasit dhe Mosadit

Postuar në 16 Maj, 2021 14:30
Giudo Olimpio

 

Është 16 shkurt i vitit 2003. Nidal Farahat po punon në një ofiçinë në Gaza për një model droni të blerë në tregun civil. Me të janë disa militantë të Hamasit, të gjithë anëtarë të seksionit të zhvillimit të armëve. Pak minuta më pas, ata hidhen në erë nga një bombë e vendosur në një mjet të vogël fluturimi, një kurth ky i ngritur nga Mossad-i.

Përpjekje të vazhdueshme

Kjo vrasje e planifikuar ishte e para që hapi një fushatë të gjerë në Jeruzalem për të neutralizuar njerëzit e përfshirë në programin e zhvillimit të raketave. Në atë kohë, një e tillë e llojit “Kassams”, me kosto rreth 300 dollarë, kishte një distancë prej rreth një duzinë kilometrash. Vdekja e Farahat ishte një humbje simbolike, por nuk i ndaloi planet e grupimeve. Përkundrazi, përpjekjet për të pasur sisteme më të mira u shtuan. Në vitin 2009, zyrtarët palestinezë importuan raketa “Fajr” me ndihmën e Iranit. Ngarkesat mbërritën me anije në Sudan, vijuan përmes kontrabandistëve drejt gadishullit Sinai në Egjipt, për t'u transferuar më pas në Gaza. Ishte një rrjet që shfrytëzoi rrugët e vjetra, bashkëpunimin klanor dhe tolerancën e regjimit lokal. Dhe në këtë mënyrë merreshin “plumbat” në një distancë prej 60 kilometrash.

Një goditje e dyfishtë

Izraeli reagoi me metodat e tij të zakonshme. Në janar 2009 doli lajmi për një sulm ajror kundër një autokolone kamionësh në rajonin sudanez të al Shananun. U fol për transportin e armatimit, madje u hodhën dyshime edhe për SHBA. Në fakt, kishin qenë izraelitët përgjegjës për fundosjen e një anijeje mallrash afër Port Sudanit. Në dhjetor të të njëjtit vit, një shpërthim misterioz ndodhi në një autobus në Damask. Në bord ishin ekspertë të Hamasit dhe iranianë, të gjithë të përfshirë në planin e riarmatimit brenda kornizës së një pakti strategjik. Garda Revolucionare e Iranit ofronte materiale dhe teknologji, vepronte si këshilltare, ndërsa aleati ngrinte në këmbë “industrinë” e vet me vendosmëri dhe risi, duke pasur parasysh kushtet në Gaza. Aksi Iran-Hebzollah-Gaza nuk është ndalur kurrë, pranojnë vetë liderët.

Operacioni në Dubai

Nuk kishte kaluar as një muaj, kur ndodhi një tjetër ngjarje e bujshme: atentati në një hotel në Dubai i Mahmoud al Mabhouh. Viktima kishte  rol vendimtar në zinxhirin e furnizimit ushtarak, udhëtonte shumë, ishte ndërmjetës i Teheranit dhe figurave të besuara në Sudan. Vrasësit përdorën një substancë vdekjeprurëse, duke shpresuar që vdekja të dukej si një atak në zemër. Policia lokale veproi shpejt, denoncoi komplotin e Mossadit dhe botoi fotot e përgjegjësve. Pasoi një shou mediatik për të paralajmëruar Jeruzalemin. Skandal i madh, protesta, fyerje. Asgjë më tepër, ata që kërkonin “kokat” thjesht duhej të prisnin që gjërat të qetësoheshin. Ata u rishfaqën në Ukrainë më 11 shkurt 2011 kur rrëmbyen Diran Abu Sisi, një inxhinier, ekspert në fushën e raketave në Evropën Lindore, në një tren. Pasi e çuan në shtetin hebre, e mbyllën në një qeli dhe morën informacione të rëndësishme. Këto të fundit mund të jenë përdorur për një sulm të ri në Port Sudan në fillim të prillit: shënjestra ishte ai që mendohet si pasardhësi i al Mabhouh. Dhe në fund të majit, sërish në portin sudanez, Nasser Said, një anëtar i klanit Abada, u hodh në erë, i paraqitur si një nga pikat kryesore të tregtisë. Kalojnë disa muaj dhe në Damask gjendet trupi gjysmë i karbonizuar i Kamel Ranaja, i përfolur si tregtar armësh dhe pjesë e strukturës së jashtme të Hamasit. Një sekuencë tjetër: më 24 tetor 2012, sudanezët akuzojnë Jeruzalemin për bombardimin e një fabrike municioni në Yarmuk. Në atë kohë u tha se u shkatërruan kontejnerë me origjinë iraniane.

Pa u ndalur në asnjë moment

Është një luftë e paepur, sepse në çdo përballje palestinezët zbulojnë pjesë më të fuqishme, shtrijnë rrezen e veprimit, i fshehin ato më mirë. Aftësi këto që provokojnë kundër-lëvizje të inteligjencës. Në vitin 2016, një operacion i sofistikuar eliminoi Mohamed Zaëahri, një palestinez që drejtonte dronët në Sfax, Tunizi. Arrijnë te ai me pretekstin e një interviste (false). Më pas vjen prita e prillit 2018: në Kuala Lumpur, Malajzi, bie pre e zjarrit të disa sulmuesve Fadi al Batsh. Me origjinë nga Gaza, studiues në një universitet malajzian, ai ishte i angazhuar - do të shkruanin mediat - në studime mbi dronët, raketat dhe taktikat nënujore.

Lexim i dyfishtë

Lufta e fshehtë e Mossad-it e privoi armikun nga ata që cilësohen si “truri”, bllokoi rrugën sudaneze, pengoi vijën logjistike, konfirmoi një kapacitet për ndërhyrje larg kufijve dhe mund të ketë shmangur edhe mbërritjen e raketave më precize. Sidoqoftë, nuk arriti të parandalojë që militantët të marrin atë që dëshironin: mjete jo të krahasueshme me forcën e kundërshtarit, por të mjaftueshme për të ruajtur sfidën. Të shtunën, “Jerusalem Post” kritikoi establishmentin se lejoi Hamasin të përmirësojë cilësinë dhe sasinë e pajisjeve të tij. Njoftimet për surpriza të reja për shtetin hebre, pa propagandë, tregojnë se sa larg kanë arritur që kur Nidal Farahat përgatiti "tubat" e parë shpërthyes.

/ Corriere della Sera / 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.