OBSH: Varianti indian i Covid-19, i pranishëm në 17 vende
Një tjetër variant i virusit Covid-19 po përhapet me shpejtësi nëpër botë. OBSH bëri të ditur në buletinin javor për pandeminë se, i ashtuquajturi variant Indian është i pranishëm aktualisht në 17 vende të botës, përfshirë Italinë fqinje.
Mutacioni i virusit që po përhapet me ritëm të shpejtë në Indi, i quajtur ndryshe varianti B.1.617, është zbuluar në mbi 1,200 sekuenca të ngarkuara në bazën e të dhënave ndërkombëtare Gisaid, bën të ditur OBSH. Vendet me numrin më të lartë të rasteve janë: India, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Singapori, por i pranishëm është edhe në Belgjikë, Zvicër, Greqi dhe Itali.
Varianti B.1.617, i cili ka disa nënvariante deri më tani, është klasifikuar si mutacion që duhet mbajtur nën vëzhgim, por ende jo "shqetësues", kategorizim ky që do ta bënte më të të rrezikshëm se virusi origjinal, pasi është më ngjitës, më vdekjeprurës dhe rezistent ndaj vaksinave.
Add new comment