Të Blertët në Gjermani propozojnë pasuesen e Merkelit
Annalena Baerbock është kandidatja e parë për kancelare nga radhët e Partisë Blertë në Gjermani. Ajo është në krye të partisë së bashku me kolegun Robert Habeck dhe tre vjet më parë synonin një parti të re e të madhe për Gjermaninë.
"Sigurisht që atëherë nuk e dinim se do të vinim në këtë pikë. Por ajo që dinim ishte se donim të hapnim partinë, se donim të bënim politika për një shoqëri të gjerë. Dhe kështu sot fillon një kapitull i ri për partinë tonë", citohet ajo nga DW.
Baerbock ka pasur një karrierë të shpejtë në politikë. Ajo u vu në qendër të vëmendjes në një konferencë partie në fillim të vitit 2018, kur e veshur me një xhaketë lëkure të zezë dhe pothuajse e panjohur, doli në ballë dhe i habiti jo pak delegatët që sapo e kishin votuar si bashkëkryetare të partisë.
Ambientalistja 40-vjeçare u cilësua menjëherë si "brumë kancelari".
Që atëherë edhe ajo ka punuar për të ngritur një profil si eksperte e mjedisit. Por si politikane nuk mund të shmangte edhe çështje të forta të politikës së jashtme. Ajo ka folur mbi kërcënimet që paraqet populizmi dhe ksenofobia e ekstremit të djathtë. Kështu, kur në dimrin e vitit 2019 kur partia u mblodh sërish, Baerbock mori mbështetjen e 97% të delegatëve.
E lindur në 1980 në qytetin e vogël Pattensen në Saksoninë e Poshtme, ajo ka studiuar juridik në Hanover përpara se të ndiqte Shkollën Ekonomike të Londrës, ku studioi të drejtën ndërkombëtare. Baerbock flet rrjedhshëm anglisht, diçka jo e zakontë për politikanët gjermanë.
Që kur ajo u bë bashkë-drejtuese e partisë, Të Blertët kanë shtuar mbi 20% në sondazhe. Po ashtu, partia pati rezultat të mirë zgjedhjet evropiane, si dhe në votimet rajonale në Gjermani.
Megjithatë, Të Blertët ende po luftojnë për të fituar terren në Gjermaninë Lindore. Si Baerbock ashtu edhe Habeck kanë biseduar me anëtarët e partive të tjera, përfshirë konservatorët, për të kërkuar bashkëpunim. Dhe ka pasur shumë spekulime rreth një koalicioni të mundshëm konservator-Të Blertë në Berlin pas zgjedhjeve 2021.
Add new comment