Lotari për të reduktuar anijet në kanalet e Amsterdamit
Në kanalet e Amsterdamit, anijet e vogla në të cilat turistët shijojnë një vakt ndërsa sodisin peizazhin, do të reduktohen në numër. Licencat tani po kalojnë në një sistem lotarie, që lë në fuqi vetëm disa prej tyre. Ndërkohë, 20 000 njerëz kanë nënshkruar një peticion që kundërshton rregullat lokale të transportit, të cilat sipas tyre mund t’i vrasin bizneset familjare. Me vendim të këshillit të qytetit, lotaria për 155 licenca u hodh vitin e kaluar.
Vincent Horbach, një prej biznesve të vogla të këtij lloji, ofron prej vitesh shërbime, përfshirë procesione funerale. Për mediat holandeze, ai thotë se vendi rrezikon të humbasë një pjesë jetike të trashëgimisë së tij të lundrimit. Federatie Varend Erfgoed Nederland, e cila mbron këtë trashëgimi kulturore, i ka dërguar një letër kryetarit të këshillit të ujit, Egbert de Vries, të cilin e akuzon për dëmtimin e një prej elementëve karakteristikë të jetës së qytetit.
“Amsterdami thotë se dëshiron të kufizojë turizmin masiv në mënyrë që të mbrojë jetesën në qytet, por këto anije të vogla klasike nuk janë vetëm pjesë e kanalit por japin një kontribut të rëndësishëm për të inkurajuar turizmin cilësor, një nga qëllimet e qytetit”, thuhet në letër.
Beteja
Lufta për lejet e biznesit në kanalet e Amsterdamit ka qenë një betejë ligjore për vite me radhë, dhe tregtia përfaqëson rreth katër milion pasagjerë që paguajnë për këto ture çdo vit. Lotaria për licencat është pjesërisht një përgjigje ndaj një vendimi të vitit 2015 nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, e cila sanksionoi se tregu duhet të jetë i drejtë dhe i hapur për ata që hyjnë rishtas, pas një çështje gjyqësore nga pronari i anijes miqësore me mjedisin “Rolf Trijber”, të cilës iu refuzua kërkesa për licencë në vitin 2011.
Një zëdhënës i këshillit të Amsterdamit tha se kufizimi i numrave të anijeve në mënyrë të drejtë ishte pjesë e politikës së kontrollit të turizmit. "Anijet klasike i përkasin Amsterdamit dhe karakterit të qytetit, kështu që për këtë arsye, 155 nga 550 leje janë për anije historike”, tha ai.
Add new comment