Ukraina nxirret në pazar
Tensioni në kufirin ruso-ukriainas ka kapërcyer fazën e nxehjes teksa përfaqësues të pushtetit, apo pranë pushtetit në Moskë kanë nisur të flasin për luftë me SHBA. Dje mediat citonin disa deklarata të Margarita Simonyan, drejtuese e mediave shtetërore ruse, RT dhe Sputnik, e cila shprehej se konflikti do të shpërthente në momentin kur Rusia do të niste lëvizjet për kapjen e territorit ukrainas. Sipas saj përplasja me SHBA është e pashmangshme në kursin e tanishëm të ngjarjeve në Ukrainë. Simonyan nuk është e vetmja që artikulon teza apo interpretime të tilla. Po dje, zv.ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov kërcënonte hapur SHBA se ishte për të mirën e tyre që të rrinin larg Detit të Zi dhe Krimesë. Lloji i luftës që po përflitet është i një tjetër lloji: hakerim masiv në internet, fikje e impianteve të energjisë elektrike dhe një ofensivë e plotë ndaj infrastrukturës amerikane.
Nuk besoj se do të jetë një luftë e nxehtë në shkallë të gjerë si Lufta e Dytë Botërore dhe nuk besoj se do të ketë një Luftë të gjatë të Ftohtë. Do të jetë një luftë e tipit të tretë: luftë kibernetike
është shprehur Simonyan.
Deklaratat në fjalë kanë provokuar shumë debat dhe kanë ndezur më tej situatën me ç’rast zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, është detyruar të dalë posaçërisht e të sqarojë pozicionin zyrtar të Rusisë.
Njerëz të ndryshëm shprehin opinionet e tyre një televizonet shtetërore apo jo private ruse. Ata përfaqësojë një diapazon të madh opinionesh. Është e vërtetë, ka disa diskutime të nxehta, gjatë të cilave u shprehën qëndrime të ndryshme, përfshirë raciste. Sigurisht që këto qëndrime nuk kanë të bëjnë me pozicionin zyrtar të Moskë
ka thënë Peskov.
Evolucioni në këtë drejtim i situatës, ku edhe përmendja e fjalës Luftë ilustron në thelb gatishmërinë për ta pranuar atë si skenar, është reflektuar pak më vonë me një telefonatë mes presidentëve Vladimir Putin dhe Joe Biden. Mediat thonë se presidenti amerikan ka propozuar një samit mbi Ukrainën, duke njohur kështu formalisht të drejtat e Rusisë mbi këtë vend, apo pjesë të tij dhe duke kërkuar që thjesht këto të drejta të rregullohen mes të mëdhenjve.
Presidenti Biden foli sot me presidentin Putin, duke bërë të qartë vendosmërinë e SHBA për të mbrojtur interesat tona kombëtare dhe shprehur mbështetje për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës
njofton Shtëpia e Bardhë. Më tej, pala amerikane ka përsëritur se është e interesuar për një marrëdhënie të parashikueshme me Rusinë, duke konfirmuar nevojën e një samiti për çështjet e sigurisë globale.
Telefonata e Biden është e mbështetur mbi qëndrime të përpunuara të politikës amerikane dhe priret të mos jetë thjesht një nismë diplomatike e atypëratyshme. Ajo pason publikimin e një raporti për Vlerësimin Vjetor të Kërcënimeve, hartuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, sipas të cilit Rusia nuk kërkon një konflikt të drejtpërdrejtë me forcat amerikane.
Në vend të kësaj, Moska do të vazhdojë të vërë në punë një seri taktikash që synojnë minimin e ndikimit amerikan, zhvillimin e normave dhe partneritetit të ri ndërkombëtar, të ndajë vendet perëndimore dhe të dobësojë aleancat perëndimore si dhe të demonstrojë aftësinë e Rusisë në formësimin e ngjarjeve globale si një lojtar kryesor në një rend ndërkombëtar multipolar
thuhet në raport.
Ajo çfarë mund të kuptohet nga ky peizazh fjalësh, termash dhe deklaratash është fakti se integriteti territorial i Ukrainës është në pikëpyetje, se vetë ky shtet në formën e tanishme ka dalë në pazarin e të mëdhenjve dhe se me gjasë Europa Qendrore do të ketë rastin të shohë edhe njëherë operacione hartografike në funksion ndoshta edhe të mbylljes së problemeve të tjera në Poloni, apo Balltik ku Rusia prej kohësh po luan rolin e gjahtarit. Ose të paktën këtë frikë u ka shtënë shteteve në fjalë. Nga ana tjetër, propozimi amerikan për samit mbi Ukrainën e më gjerë, i jep shkelmin dhe në fakt pezullon arritjet e diplomacisë gjermane me Marrëveshjet e Minskut që duket se në planin strategjik thjesht i dhanë kohë Rusisë.
s.zaimi
Add new comment