Një qytet 3000-vjeçar zbulohet në Egjipt

Postuar në 10 Prill, 2021 00:53

Një qytet 3000-vjeçar është zbuluar së fundmi nën rërat e Luksorit në zonën që njihet si Lugina e Mbretërve. Qyteti daton që në kohën e sundimit të Amenhotepit III, rreth vitit 1390 para Krishtit, dhe është banuar edhe më pas në periudhën e Tutankhamunit. Arkeologët e cilësojnë këtë si zbulimin më të madh që prej atij të varrit të Tutankhamunit. Ai është një pjesëz e mozaikut të egjiptianëve të lashtë në kohën kur perandoria ishte në kulmin e lulëzimit.

Ky zbulim vjen më pak se një javë nga parade madhështore e 22 mumieve në Kajro, një mënyrë krenare e Egjiptit për t’i treguar botës pjesë të trashëgimisë së tij, në një kohë kur turizmi nuk është në ditët e veta më të mira. Gjatë gërmimeve të koordinuara nga Ministria e Turizmit dhe Antikitetit, arkeologët kanë gjetur  prova të disa industrive, përfshirë tjerrje dhe endje, prodhim metali dhe prodhim qelqi.

Të dhënat historike sugjerojnë se vendbanimi përbëhej nga tre pallate mbretërore që i përkisnin mbretit Amenhotep III, si dhe qendra administrative dhe industriale e perandorisë. Tullat e baltës që mbajnë vulën e faraonit konfirmuan moshën e qytetit. Kërkime të mëtejshme pritet t’i japin përgjigje pyetjes: Pse djali i Amenhotep III, Akhenaten, dhe gruaja e tij Nefertiti e zhvendosën kryeqytetin e dinastisë në një vend të ri në Amarna?

/Bloomberg/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.