OBSH kundër pasaportave të vaksinimit
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) refuzon përdorimin e pasaportave Covid. Në një konferencë për shtyp të martën, zëdhënësja e OBSH-së Margaret Harris, e motivoi këtë vendim me diskriminimin që sjell një hap i tillë dhe shtoi se nuk ka garanci që vaksina parandalon transmetimin e sëmundjes, raporton Reuters.
OBSH vlerëson se në këtë moment nuk e mbështesim pasaportën e vaksinës si kriter për hyrjen apo daljen nga një vend.
Që në krye të herës, ideja e një pasaporte të vaksinës është kundërshtuar me frikën se mund të krijojë kushte për diskriminim të individëve që mund të kenë dëshirën por jo mundësinë për t’u vaksinuar.
Disa qeveri aktualisht po e konsiderojnë përdorimin e këtyre pasaportave Covid për të rihapur plotësisht ekonominë e tyre dhe për të shmangur karantinën, që do të bëhej pengesë për sezonin turistik.
Megjithatë, nuk janë pak ekspertët e shëndetit publik, të cilët ngrenë pikëpyetje në lidhje me transmetimin e sëmundjes nga njerëz të vaksinuar.
Add new comment