Dera e një krize të mundshme kushtetuese paszgjedhore

Postuar në 02 Prill, 2021 00:29

Nëse hap sot faqen e presidencës të shfaqet një njoftim i cili të fton si qytetar që të denoncosh çdo krim zgjedhor. Aty jepen adresa email ku mund të denoncosh dhe bëhet thirrje që të mos qëndrohet pasiv ndaj kësaj situate.

Kështu Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta po flet zyrtarisht, në paradhënie, për një krim zgjedhor, që teknikisht është mosonjohje e zgjedhjeve dhe parlamentit të ri të dalë prej tyre. Ky është një eventualitet jo dhe aq teorik, nisur nga fakti se z. Meta e ka deklaruar edhe më parë një qëndrim të tillë, nga njoftimi I tanishëm për denoncimin dhe nga interpretimi përherë e më i përhapur se tashmë shumica në pushtet po luan për një qeverisje të përbashkët me PD-në, që në çdo ekuacion do të likujdonte LSI-në dhe Ilir Metën nga skena.

Zoti Meta po vepron në atë fushë që duket se ka qëlluar në shenjë: interpretimin në skaje të ligjit dhe Kushtetutës.

Njoftimi për denoncime është një paralajmërim se z. Meta në cilësinë e presidentit po përgatit një raport paralel zgjedhor me atë të vëzhguesve duke vendosur eventualisht në krizë besueshmërinë e certifikimit të zgjedhjeve. Çdo të ndodhte nëse presidenti paraqitet me një dosje me 5 000 denoncime?! Askush nuk mund ta thotë. E sigurt është se z. Meta nuk jep informacione se nga i ka të dhënat dhe frikën për një manipulim, çka lë të kuptojë se përtej çdo dyshimi, për zgjedhjet ka një skenar edhe përplasjeje të improvizuar që do të gjeneronte alibi.

Ka disa arsye që të bëjnë të mendosh se mandatimi i kryeministrit të ri nuk ka për të qenë aq i thjeshtë dhe se ekziston mundësia e një komplikimi juridik që do të hajë kohë edhe pse në finale zgjedhjet dhe Parlamenti kanë fjalën e fundit.

Së pari është qëndrimi refuzues i Presidentit që po përgatit dosjen e tij të denoncimeve.

Së dyti, kemi precedentin e krizave kushtetuese në Kosovë dhe Maqedoni, ku u verifikuar roli i Presidentit në kushtet e paqartësisë parlamentare në kalimin e pushtetit.

Së treti neni përkatës në Kushteutën e Shqipërisë për zgjedhjen e kryeministrit është shkruar keq. Dhe në mënyrë evazive duke lënë hapësirë manovrimi. Në pikën 1 flet për shumicë, pastaj vetëm për Kuvendin. Flet për emërim të kryeministrit dhe jo mandatim duke e barazuar kryeministrin me një funksionar tjetër që nuk kalon testin e zgjedhjeve dhe as merr kredencialet e tyre.

Së katërti Kushtetuta jonë nuk përcakton se çfarë ndodh kur presidenti nuk pranon të emërojë në afat emrin e kryeministrit të ri. Nuk jemi në kushtet e pamundësisë së ushtrimit të detyrës sepse po shohim që presidenti po lëviz në drejtim të provokimit të një krize.

Së pesti, kemi precedentin e dekreteve për Sandër Lleshajn dhe Gent Cakajn, apo dekreteve për betimin e gjykatësve. Kalimi i tyre u bë pas negociimit politik dhe nuk u pa asnjë instrument shtrëngues ligjor apo kushtetues për Presidentin.

Së gjashti, shumica përgatiti një ligj organik për presidentin ku saktësonte sipas saj sesi zgjidhet kryeministri. Ai draftligj nuk është depozituar ende në Parlament dhe nuk dihet nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

Së shtati, nuk dihet se çfarë ndodh nëse Presidenti jep dorëheqjen dhe shpall luftën e vet politike kundër uzurpimit të Parlamentit sipas tij me dosjen e abuzimeve në dorë. Kush e emëron atëherë kryeministrin?

Së fundmi, mbetet i paqartë se si mund të ndërhyjë në lojë Gjykata Kushtetuese ndërkohë që abuzimi zgjedhor ndonëse është instrumentalizuar ka qenë përherë fakt në zgjedhje. Pra si mund të rrëzohet nga ana kushtetuese një pretendim i dikujt që shpall se e bën këtë në emër të shtetit dhe ruajtjes së procesit bazë të sistemit aktual politik: Zgjedhjeve të lira dhe të ndershme?

Mundet që asgjë të mos ndodhë. Mundet që Ilir Meta befas të qetësohet dhe të mos bëjë asgjë prej këtyre, mundet të ndodhë si në Kosovë kur fjala e të huajve e zbuti dhe futi në vathë LDK-në që sot voton Vjosa Osmanin për president. Por mundësia e një krize është reale dhe ai njoftim në faqen e presidencës nuk është banal. Përkundrazi, banale është mesa duket Kushtetuta jonë që është shkruar Keq dhe për të cilë presidenti ka nisur të bërtasë sa herë i jepet rasti.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.