Akuzë Bolsonaros: Pandemia, genocidi më i madh. Na ndihmoni!
Brazili është ndër vendet me numrin më të madh të viktimave të shkaktuara nga Covid-19. Ish-presidenti Luiz Inácio Lula da Silva e cilëson këtë situatë gjenocidi më i madh në historinë e vendit. Në një intervistë për “Der Spiegel”, ai kërkon që kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe liderë të vendeve të tjera ta ndihmojnë Brazilin në këtë betejë.
Të martën në Brazil ishin 3 158 të vdekur nga Covid-19. Është genocidi më i madh në historinë tonë. Nuk mund ta përqendrojmë vëmendjen në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, por te lufta me virusin dhe vaksinimi i popullsisë. Duhet ta shpëtojmë Brazilin nga Covid-19.
Në valën e parë të Covid-19 në Brazil, presidenti aktual, Jair Bolsonaro, e pati quajtur virusin “një grip i thjeshtë”. Pak muaj pas kësaj deklarate, ai u infektua vetë dhe ndryshoi qasje. Tani ai mban maskë në daljet publike dhe flet në favor të vaksinimit. Por për Lulën, pasuesi në detyrë nuk duhet të mjaftohet me kaq.
Një president nuk duhet të dijë gjithçka. Por ai duhet të ketë përulësinë të konsultohet me njerëz që dinë më mirë se ai. Ai duhet të flasë me shkencëtarë, mjekë, guvernatorë dhe ministra të Shëndetësisë për të dalë me një plan për të mundur COVID. Edhe nëse, për herë të parë, Bolsonaro nuk po thotë marrëzira, ai ende nuk po e merr seriozisht COVID.
Vetë ish-presidenti e pranon se ka lobuar në Rusi dhe Kinë për vaksinën.
I shkrova një letër Xi Jinping dhe u takova me përfaqësuesit e fondit rus që bën shpërndarjen e vaksinës Sputnik V. Bolsonaro dhe mbështetësit e tij kanë përhapur fjalë se atyre që vaksinohen me vaksinën kineze do të futet në organizëm edhe një mikroçip dhe se vaksina BioNTech mund t'i kthejë njerëzit në krokodilë. Pra, me këto lloj gënjeshtrash na duhet të merremi. Unë u kam kërkuar Putinit dhe Xi Jinping të injorojnë fyerjet që vijnë nga Bolsonaro dhe ministri i tij i jashtëm kur Brazili kërkon vaksinën.
I dënuar më parë për korrupsion, Lula u lirua nga çdo akuzë më 8 mars të këtij viti, kur Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e një shkalle më të ulët. Ndërkohë, Sergio Moro, gjykatësi që dënoi Lula-n është ministër i Drejtësisë në kabinetin e presidentit Jair Bolsonaro.
Rrëzimi i këtij vendimi i jep Lula-s të drejtën të sfidojë presidentin në detyrë në zgjedhjet kombëtare të vitit të ardhshëm. Nëse ai kandidon, do të ishte një betejë e madhe politike për të ardhmen e Brazilit, pasi e vendos populistin e ekstremit të djathtë përballë paraardhësit të tij socialdemokrat.
Add new comment