Biznesi i madh i vaksinave, 150 miliardë vetëm gjatë vitit 2021

Postuar në 17 Mars, 2021 14:41
Federico Fubini

 

Më 29 janar, presidentit Emmanuel Macron i shpëtoi një nga deklaratat potencialisht më impenjuese të të gjithë karrierës së tij politike. Ka "pak informacion" mbi vaksinën nga grupi britanik AstraZeneca, tha presidenti francez. "Ne mendojmë se për njerëzit mbi 65 vjeç është pothuajse joefektive", tha ai atëherë. Ishte një deklaratë e rrezikshme, sepse kërcënonte të nxiste një numër të madh njerëzish që të hiqnin dorë nga vaksina. Mundet që vetë Macron të ketë pasur informacione të pasakta në atë kohë, sepse më vonë u korrigjua. AstraZeneca u testua gjerësisht tek të moshuarit: 2 100 njerëz të moshës mbi 60 vjeç u përfshinë në studimin e paraqitur për aprovim te rregullatorët në Evropë. Mbi të gjitha, një studim i dytë i pavarur nga Universitetet e Edinburgut dhe Uellingtonit, në dispozicion në atë kohë, tregoi një efikasitet prej 94% për të gjitha grupmoshat.

Vaksinat anti-Covid dhe industria e barnave

Por është e vështirë të kuptosh gabime si ai i Macron pa kontekstin në të cilin ndodhën. Në nivel politik, gjithçka po ndodh ndërsa Bashkimi Evropian dhe Londra po merren me ndikimin e Brexit; gjithçka ndodh kur Amerika e Joe Biden fillon një afrim me Evropën kontinentale, pas viteve mbështetje nga ana e Donald Trump për euro-skeptikët e udhëhequr nga Boris Johnson. Trump madje shkoi aq larg sa të financojë projektin e vaksinës AstraZeneca, me kërkesë të kryeministrit britanik, me 1.2 miliardë dollarë. Në nivel biznesi, paraqiten zhvillime edhe më konkrete: Covid-19 mund të jetë duke u bërë marrëveshja më e madhe ndonjëherë për industrinë e ilaçeve.

Vaksinat, dhjetë miliardë doza në shitje vetëm në vitin 2021

Vetëm në vitin 2021, të paktën dhjetë miliardë doza vaksinash do të shiten në të gjithë botën, gjë që do t'u sjellë grupeve të Big Pharma midis 120 dhe 150 miliardë dollarë të ardhura shtesë. Është e pamundur të parashikohet saktësisht në këtë moment se sa, sepse shumë varet nga fakti se cila prej dy kompanive të mëdha do të pushtojë pjesët më të pasura të tregut: vaksina AstraZeneca, e zhvilluar në Universitetin e Oksfordit dhe Irbm të Pomezia-s, është një produkt tradicional në shitje për një çmim prej 2.8 euro/doza; ajo e Pfizer-it amerikan, e zhvilluar me BioNTech gjermane, është një teknologji e përparuar dhe ka një çmim mesatar prej rreth 16 euro (19.5 dollarë). E para është angazhuar të dorëzojë tre miliardë shishka në 2021, ndërsa e dyta po përpiqet të rritet përtej kufirit prej 1.2 miliardë shishkave. Kushdo që fiton, sfida për tregun evropian midis dy grupeve është korniza brenda së cilës autoritetet në Paris, Romë dhe Gjermani vazhdojnë të mbjellin dyshime për vaksinën britanike.

Pfizer dhe AstraZeneca

Më 29 janar, ndërsa Macron fliste, Agjencia Evropiane e Ilaçeve (EMA) miratoi plotësisht vaksinën e Oxfordit për të rriturit. Deklarata e presidentit francez erdhi dy ditë pas njoftimit nga amerikania Pfizer për t’i dhënë francezes Sanofi licencën për të prodhuar njëqind milionë doza. Vetë qeveria e Parisit e kishte mbështetur marrëveshjen me Pfizer dhe me shumë gjasa edhe një pjesë të 160 milionë eurove të alokuara për vaksinat në Francë.

AstraZeneca dhe kufiri i moshës

Macron nuk do të ishte i vetmi që përhapi dyshime rreth AstraZeneca-s. Më 30 janar, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, foli për "kufij të moshës" për vaksinën britanike, të financuar nga qeveria e Londrës me rreth 200 milionë euro. Në atë fazë, Berlini e miraton atë vetëm për moshat nën 65 vjeç. Pak më vonë, Agjencia Italiane e Ilaçeve e vendosi kufirin në 55 vjet (më pas ndryshoi mendim dhe pranoi rekomandimin e EMA). Ne kurrë nuk do ta dimë nëse disa politikanë evropianë tundohen ta ndëshkojnë AstraZeneca-n për vonesat e dorëzimit - Londra po bllokon eksportin e dozave të saj - ose për të zvogëluar suksesin e qeverisë së Brexit. Johnson u tregua shumë i shpejtë një vit më parë në financimin e projektit Oxford dhe Pomezia dhe në maj kishte porositur 100 milionë doza. Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit të BE, i telefonoi Astra Zeneca-s vetëm në gusht.

Licencat për vaksinat

Sigurisht, Gjermania duhet të menaxhojë një konflikt objektiv interesi: ajo ka financuar aleatin gjerman Pfizer BioNTech me pothuajse 400 milionë euro para publike. Vetë Italia po përpiqet të fitojë një licencë Pfizer për të prodhuar vaksina. Edhe qëndrimi i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu ka ndryshuar. Me vendimet e marra në muajt e fundit të Trump, 60 milionë doza AstraZeneca janë prodhuar në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, prej muajsh, ata kanë mbetur në pritje të autorizimit nga rregullatorët amerikanë. Zakonisht në raste urgjente, procesi është i shpejtë edhe për produktet nga komanitë e huaja. Por në këtë rast, grupit britanik iu kërkua të ringrinte nga zero një mostër prej 20 000 personash në Afrikën e Jugut, Brazil dhe Shtetet e Bashkuara. AstraZeneca mund të presë. Dhe bashkë me të edhe miliona evropianë, të mbetur ende pa vaksina.

/Corriere.it /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.