Franca kthen pikturën e Klimt që u shit gjatë pushtimit nazist të Austrisë
Franca do t’u kthejë një pikturë të artistit austriak Gustav Klimt trashëgimtarëve të familjes hebreje që u detyrua t’u shiste atë nazistëve.
Ministrja franceze e kulturës, Roselyne Bachelot, tha se kthimi i pikturës te pronarët e ligjshëm është njohje e krimeve që rënduan mbi ta.
Shteti francez e bleu veprën në vitin 1980 pa e ditur historinë e saj.
Pronarja e para luftës e “Rosiers sous les Arbres” (Trëndafila poshtë pemëve) ishte Nora Stiasny, nga një familje e njohur hebraike austriake. Ajo e kishte trashëguar pikturën nga xhaxhai i saj, industrialisti austriak dhe koleksionisti i artit Viktor Zuckerkandl.
Zonja Stiasny u detyrua ta shiste atë në gusht 1938 me një çmim qesharak për të mbijetuar, muaj pasi nazistët aneksuan Austrinë.
Në vitin 1942 zonja Stiasny u deportua në një kamp përqendrimi në Poloninë e pushtuar nga nazistët dhe vdiq po atë vit.
Tregtari i artit e mbajti kryeveprën deri në vdekjen e tij në vitet 1960. Franca e bleu atë në ankand në 1980 për Musée d'Orsay.
"Sot ne e dimë që është vërtet një vepër që u plaçkit në Austri në gusht 1938", citohet Bachelot nga BBC.
Piktura në fjalë është e vetmja e Klimt që zotëronte shteti francez.
"Ishte një vendim i vështirë, por i domosdoshëm, thelbësor. Tetëdhjetë e tre vjet pas shitjes së detyruar të kësaj pikture nga Nora Stiasny, kjo është përmbushja e një akti drejtësie."
Piktura do të shkojë për pasardhësit e motrës së Nora Stiasny. Qeveria franceze do të duhet të miratojë një projekt-ligj me të cilin lejon heqjen e pikturës nga koleksioni kombëtar dhe kthimin te familja hebreje.
Në vitin 2017, një pikturë me lule e Gustav Klimt u shit për gati 48 milionë paund në Sotheby's në Londër.
Add new comment