Partia e Merkel humbet zgjedhjet rajonale në dy shtete
Partia e kancelares gjermane, Angela Merkel, pësoi humbje në dy palë zgjedhje rajonale të dielën. Bashkimi Kristian Demokratik (CDU) i qendrës së djathtë, siç tregojnë sondazhet, pritet të shënojë rezultatet më të dobëta ndonjëherë në shtetet jugperëndimore të Baden-Wuerttemberg dhe Rhineland-Palatinate, raporton France 24.
Sondazhet janë kryer nga transmetuesit publikë, ARD dhe ZDF.
Rezultatet shihen si një barometër i gjendjes kombëtare përpara zgjedhjeve të përgjithshme më 26 shtator - kur do të zgjidhet pasardhësi i Merkel.
Në Baden-Wuerttemberg, një rajon i pasur i Gjermanisë, CDU ra në 23 përqind, nga 27 përqind pesë vjet më parë.
Partia e Gjelbër ndërkohë mbajti vendin e parë, duke marrë më shumë se 31 përqind të votave, rezultati i saj më i mirë në të gjitha zgjedhjet rajonale deri tani.
Baden-Wuerttemberg është shteti i vetëm i Gjermanisë i drejtuar nga një kryeministër që vjen nga kjo parti. Winfried Kretschmann ka qenë në detyrë që nga viti 2011.
Ai tani mund të zgjedhë të mbajë qeverinë e tij aktuale të koalicionit me CDU, ose të ndërtojë një të re me SPD e qendrës së majtë dhe FDP pro-biznesit, të cilat morën nga 10 për ind të votave.
Në Rhineland-Palatinate fqinje, CDU u rendit e dyta me 25-26 përqind të votave, nga pothuajse 32 për qind në zgjedhjet e mëparshme rajonale.
SPD e qendrës së majtë mbajti vendin e parë, me 33-34 për qind.
Rezultati i hap rrugën kryeministrit aktual të shtetit, Malu Dreyer, për të vazhduar qeverisjen me partinë FDP dhe Të Gjelbrit, të cilët e kaluan dyfishin e rezultatit të zgjedhjeve të mëparshme.
Nëse konfirmohen, rezultatet shënojnë një fillim shqetësues për CDU / CSU në atë që është quajtur "viti super zgjedhor i Gjermanisë".
Trashëgimia e Merkel
Qeveria e koalicionit të Merkel, e përbërë nga CDU / CSU dhe partneri i vogël SPD, fillimisht u vlerësua për zbutjen e valës së parë Covid-19 pranverën e kaluar. Por pakënaqësia në rritje lidhur me menaxhimin e pandemisë ka bërë që mbështetja për CDU / CSU të bjerë në minimum. Atkualisht, ajo qëndron në nivelin 30 për qind.
Add new comment