Mandati i tretë/Kreu i KLP-së paralajmëron vettingun në Media
Në emisionin “Bukë dhe Cirk” të transmetuar në RTSH dhe të drejtuar nga Artan Imami, kanë qenë sot të ftuar përfaqësues të lartë të institucioneve të larta të drejtësisë si Gent Ibrahimi – kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arben Kraja - drejtues i SPAK, Artur Metani - Inspektor i Lartë i Drejtësisë dhe Erjon Muharremaj - anëtar i KLGJ-së.
Duke lënë mënjanë nivelin e artikulimit të personave në fjalë, të ulur në një tavolinë ku konsumohet ushqim dhe pihet verë, ja vlen të përmendim këtu një deklaratë të z. Ibrahimi. Duke folur për vettingun në sistemin e drejtësisë, z. Ibrahimi, që mban një pozicion që ka të bëjë me organet e hetimit kryesisht – që janë kryesoret që çalojnë në sistemin e drejtësisë – ka thënë ndër të tjera se:
Media e konsideron veten të imunizuar…Por kjo nuk mund të jetë kështu
Duke shtuar mandej edhe nevojën e vetërregullimit.
Zoti Ibrahimi, që deri më dje nga mediat e pushtetit të tanishëm, cilësohej si konstitucionalist, kurse sot mban një detyrë shtetërore me rëndësi, po paralajmëron një proces delikat që me siguri do të shenjojë betejat e kësaj mazhorance nëse ajo rikonfirmohet. Zotëria mban autorësinë e disa drafteve të reformës në drejtësi, që është katastrofa e një shoqërie të tërë dhe sot po na thotë indirekt se tërheqja e qeverisë, nominalisht kryeministrit nga përballjet me median, është e përkohshme. Pasi duket se për të pastruar median ka një mendim të strukturuar për një betejë finale. Mesa duket "morale".
Nuk është e qartë se çfarë e shtyn z. Ibrahimi të flasë në këtë kuadër dhe nga lart, a thua vettingu i PS-së dhe ambasadës amerikane është certifikatë për pastërti biblike dhe kuranore, por është e dukshme se tanimë përballë partisë ku ai është i afiluar ndonëse joformalisht, qëndron vetëm media. Ose disa media. Ky është një lajm jo I mirë, është paralajmërim për liritë tona, jo sepse media nuk ka nevojë të rregullohet dhe të pastrohet, por atë po e vetëautorizon shumica në pushtet me levat e veta për arsye që janë të kuptueshme. Ky është një presion kundërprodhues që do shtyjë drejt mediave sociale dhe tensioneve, sepse përsërisim, megjithë problemet e mëdha dhe serioze, asnjë rregullim nuk mund të vijë në këtë formë. Por kjo mbetet për t’u parë.
Ju ftojmë ta ndiqni momentin në fjalë.
s.zaimi
Add new comment