Itali, "raprezalje" administrative ndaj platformave të shpërndarjes së ushqimit
Prokurorët e Milanos dhe Inspektorati Italian i Punës kanë urdhëruar katër platforma kryesore të shpërndarjes së ushqimit të punësojnë plotësisht mbi 60 000 korrierë dhe të paguajnë një gjobë total prej 733 milionë €.
Shpërndarësit, të cilët kanë punuar për Uber Eats, Glovo, Just Eat dhe Deliveroo në Itali nga 2017 në 2020 tani duhet të trajtohen si "punëtorë të koordinuar dhe të vazhdueshëm", deklaruan prokurorët.
Nëse kompanitë paguajnë gjobat brenda 90 ditësh, ata do të mund t’i shmangin procedurat penale - por ekspertët ligjorë thonë se çështja është më e komplikuar se kaq.
Nëse platformat i punësojnë 60 000 korrierët, siç kërkohet, atëherë kompanitë duhet të paguajnë pagesat e prapambetura të sigurimeve shoqërore, thotë specialisti evropian i ligjit të punës, Luca de Vecchi. Kontributet e sigurimeve shoqërore në Itali mund të arrijnë deri në 33 për qind të pagës së një punonjësi dhe duhet të paguhen nga punëdhënësi.
Kjo do të ishte një barrë e rëndë financiare për kompanitë. "Unë nuk e di se si ata mund t’ia dalin të paguajnë dhe të mbeten ende në treg", thotë De Vecchi.
Gjithashtu, edhe përpjekja për të apeluar në gjykatë rrezikon do të sillte sanksione penale ndaj menaxherëve të kompanisë.
Sanksionet në fjalë lidhen me shkeljet e pretenduara të rregullave të shëndetit dhe sigurisë dhe dolën në pah pas një hetimi mbi aksidentet e shoferëve.
"Nuk është më koha për të thënë që drejtuesit e mjeteve janë skllevër, ka ardhur koha të thuhet se ata janë qytetarë që kanë nevojë për mbrojtje ligjore", tha kryeprokurori i Milanos, Francesco Greco, në një konferencë shtypi në internet, sipas mediave italiane.
"Kjo është një goditje shumë e rëndë për narrativën e platformave, për modelin e tyre të biznesit bazuar në autonominë e rreme dhe abuzimin me punonjësit, në mohimin e çdo të drejte dhe shkeljen e ligjeve dhe kontratave", shtoi grupi i sindikatës Deliverance Milano në një Postim në Facebook. "Nuk ka më kohë për të humbur: punësimi dhe të drejtat menjëherë, mjaft me pasiguri dhe shfrytëzim!"
Asodelivery – grupi që përfaqëson gjigantët e kateringut si Uber, Deliveroo, Glovo dhe JustEat - tha se ata ishin "të befasuar" nga vendimi i prokurorit.
"Platformat, megjithë ndryshimet specifike, kanë funksionuar në vitet e fundit në përputhje me rregulloret aktuale, duke përfshirë klasifikimin e punëtorëve dhe rregulloret e sigurisë në vendin e punës", tha grupi përmes një deklarate të shpërndarë me email.
Tani vëmendja është te platformat. Ekspertët thonë se ato do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje, në mënyrë që të shmangin përballjen në gjyq. Kjo do të sillte detyrimin për të ndryshuar modelin mbi të cilin operojnë dhe për të vendosur standarde të reja sa u takon të drejtave të punonjësve. Raste të ngjashme janë regjistruar më parë edhe në Britani dhe Holandë. Gjykata në Londër vendosi pak kohë më parë që shoferët e Uber duhet të trajtohen si punonjës dhe jo si kontraktorë të vetëpunësuar. Të njëjtin vendim ka marrë edhe gjykata holandeze për shoferët e Deliveroo.
Add new comment