Mesazhi që fsheh “Ulërima” e Edvard Munch
“Ulërima”, një prej pikturave më të famshme të Edvard Munch, fsheh një sekret, i cili është zbuluar së fundmi. Skanimet me rreze infra të kuqe kanë zbuluar një fjali të shkurtër, me germa të vogla në një cep të pikturës.
"Mund të pikturohej vetëm nga një i çmendur", është fjalia e shkruar me laps në këndin e sipërm të majtë. Analizat e kryera nga Muzeu Kombëtar i Norvegjisë kanë konfirmuar se fjalët janë shkruar nga vetë autori, raporton BBC.
Piktura origjinale, e shfaqur për herë të parë në qytetin e lindjes së Munch, Oslo, në 1893, është bërë një shprehje radikale dhe e përjetshme e ankthit njerëzor. Ndikimi i saj shtrihet deri në serinë e filmave horror Hollywood Scream të viteve ‘90, dhe deri te emoji-t e sotme.
Vepra pritet të ekspozohet për publikun në muzeun e ri, i cili pritet të hapet në kryeqytetin norvegjez vitin e ardhshëm.
Kritikët e artit kanë vënë në dyshim prej kohësh nëse mbishkrimet ishin një akt vandalizmi i bërë nga një spektator i zemëruar, apo të shkruara nga vetë Munch - i cili dihej se kishte probleme të shëndetit mendor gjatë gjithë jetës së tij.
Tani, falë krahasimit të kaligrafisë me ditarët dhe letrat e Munch, është konfirmuar se shkrimi në pikturë është i tij.
"Shkrimi është pa dyshim i Munch-it", tha kuratori i muzeut, Mai Britt Guleng.
"Vetë shkrimi i dorës, si dhe ngjarjet që ndodhën në 1895, kur Munch tregoi pikturën në Norvegji për herë të parë, të gjitha shkojnë në të njëjtin drejtim", shton ai.
Ankthi i thellë i Munch
Kur vepra u publikua për herë të parë provokoi kritika të forta dhe pati spekulime publike rreth gjendjes mendore të Munch.
Sipas asaj që thuhet në ditarët e Munch, ai u lëndua thellë nga reagimet dhe besohet se iu rikthye pikturës për të shtuar fjalinë me laps.
Babai dhe motra e Munch kanë vuajtur nga depresioni dhe ai vetë u shtrua në spital pas një krize nervore në 1908.
Nëna e tij dhe motra e madhe i vdiqën para se piktori të mbushte 14 vjeç, babai vdiq 12 vjet më vonë dhe një motër tjetër u dërgua në një shtëpi kujdesi me çrregullime bipolare.
"Kam vuajtur nga një ndjesi e thellë ankthi, të cilën jam përpjekur ta shpreh në artin tim," është shprehur më vonë Munch.
"Pa këtë ankth dhe sëmundje, do të isha si një anije pa timon".
Add new comment