Senati dështon në përpjekjen për të dënuar Trump
Senati amerikan nuk arriti shumicën e nevojshme për të dënuar ish-presidentin Donald Trump. Duheshin dy të tretat e votave të senatorëve (67 vota) për të shpallur Trump fajtor për akuzën e nxitjes së kryengritjes lidhur me trazirat në Capitol Hill, më 6 janar, raporton BBC.
Vetë Trump më herët e ka cilësuar këtë nismë si "gjuetia më e madhe e shtrigave në histori". Ky ishte fajësimi i dytë i Trump. Nëse Senati do të kishte votat e mjaftueshme, atëherë Trump-it do t’i ndalohej kandidimi për herë të dytë. Presidenti Joe Biden tha se pavarësisht vendimit të Senatit, akuza ndaj Trump nuk është në diskutim.
"Ky kapitull i trishtuar në historinë tonë na ka kujtuar që demokracia është e brishtë. Ajo duhet të mbrohet gjithmonë. Duhet të jemi gjithnjë vigjilentë. Kjo dhunë dhe ky ekstremizëm nuk ka vend në Amerikë. Dhe se secili prej nesh ka një detyrë dhe përgjegjësi si amerikanë, dhe veçanërisht si liderë, për të mbrojtur të vërtetën dhe për të mposhtur gënjeshtrat", tha Biden.
Dihet që Trump ka shkaktuar ndarje edhe në gjirin e vetë republikanëve. Pro dënimit të Trump votuan edhe shtatë senatorë të partisë së tij.
Add new comment