BE i mbyll “derën” vaksinës ruse
Bashkimi Europian nuk ka ndërmend të përfshijë Sputnik V në spektrin e vaksinave që po përdoren për të imunizuar popullatën europiane. Ajo që deri tani është lënë të kuptohet, përfundimisht është thënë me zë nga zëdhënësi i Komisionit Europian, Eric Mamer.
"BE ka një treg për vaksinat që i nënshtrohen kritereve të rrepta, të cilat ato duhet t’i plotësojnë, pa marrë parasysh nga vijnë. Nga ana tjetër, ekziston një strategji e vaksinimit në bazë të së cilës janë zgjedhur kompanitë dhe janë nënshkruar kontratat e vaksinave. Ne nuk jemi në bisedime me prodhuesit e Sputnik V rreth përfshirjes në strategjinë tonë", është shprehur zëdhënësi i Komisionit Evropian, raporton B92.
Megjithatë, rregullorja europiane u lejon shteteve anëtare të nënshkruajnë marrëveshje direkte dypalëshe me kompanitë farmaceutike që nuk janë pjesë e strategjisë së BE, me kusht që të mbajnë përgjegjësi për vaksinat që përdorin në territorin e vet.
BE, e cila ka një popullsi prej rreth 450 milionë banorësh, ka marrëveshje me gjashtë prodhues të vaksinave - Pfizer-BioNTech, Moderna, AstraZeneca, CureVac, Johnson & Johnson dhe Sanofi / GlaxoSmithKline - për rreth 2.3 miliardë doza. Ajo synon të imunizojë 70% të popullatës deri në verën e këtij viti.
Këtë hapësirë po e shfrytëzon aktualisht Hungaria, e cila është e bleu vaksinën ruse javën e kaluar. Kryeministri Orban, i njohur për përplasjet e shpeshta me BE-në, është shprehur se do të nënshkruajë një kontratë edhe me Kinën në dy ditët e ardhshme.
Edhe Gjermania duke e hapur për vaksinën ruse. Kancelarja Merkel e la të hapur mundësinë e pranimit të saj, ndërsa instituti gjerman “Paul Ehrlich” ka njoftuar se është në kontakt me Rusinë në lidhje me regjistrimin e vaksinës "Sputnik V" në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, lidhur me këtë nuk ka pasur asnjë pozicion zyrtar të organit përgjegjës për vendimin përfundimtar të Komisionit Evropian dhe besohet se njoftimi i fundit e forcon refuzimin e BE-së për vaksinën ruse.
Add new comment