Një vaksinë e personalizuar për kancerin
Një vaksinë që lufton kancerin. Mund të duket vite dritë larg, por ka nisur të bëhet realitet. Filantropi Bill Gates, i angazhuar prej kohësh në çështjet e shëndetit publik botëror, thotë se shkencëtarët janë në prag të komercializimit të vaksinës së parë të personalizuar të kancerit. "Nëse funksionon siç shpresohet, vaksina, e cila e bën sistemin imunitar të një personi të identifikojë çdo tumor nga mutacionet e tij unike, mund t’u japë fund në mënyrë efektive shumë llojeve të kancerit", shkruan ai në MIT Technology Review.
Përpjekja për një vaksinë të tillë ka nisur që në vitin 2008, kur gjenetistët publikuan sekuencën e gjenomit të qelizës tumorale. Që nga ai moment, studiuesit nisën krahasimin e mutacioneve në qeliza të ndryshme tumorale dhe zbuluan se shumica e tumoreve kanë mutacione unike vetëm për atë tumor - të njëjtat mutacione nuk shfaqen në qelizat e tumoreve të tjerë ose në qelizat e shëndetshme. Sipas Gates, disa kompani tani po punojnë për të krijuar dhe testuar vaksina të kancerit që përmbajnë kopje të mutacioneve qelizore të një tumori specifik. Ideja është që vaksina mund të detyrojë sistemin imunitar të një personi të gjejë dhe shkatërrojë çdo qelizë që përmban mutacionet e gjetura brenda tumorit të tyre specifik.
Kjo do të bëjë që imuniteti natyral i secilit të shkatërrojë në mënyrë selektive vetëm qelizat tumorale. Kjo, ndryshe nga terapitë e deritanishme, do të thotë që të mos preken qelizat e shëndetshme. Për më tepër, qelizat immune do të jenë vigjilente në zbulimin e qelizave të kancerit që mund të rikthehen pas trajtimit.
Vonesat vdekjeprurëse
Duke qenë se kanceri vret miliona njerëz çdo vit, vaksinat e personalizuara të kancerit do të ishin një risi e jashtëzakonshme. Në këtë pikë, ajo që e ngushton spektrin është kostoja dhe shpejtësia e prodhimit të numrit të nevojshëm të vaksinave. "Rikrijimi i vaksinës përfshin kryerjen e një biopsie në tumorin e pacientit, sekuencimin dhe analizimin e ADN-së së tij dhe dërgimin e këtij informacioni në vendin e prodhimit," shkroi Gates. “Pasi të prodhohet, vaksina duhet të dorëzohet menjëherë në spital; vonesat mund të jenë vdekjeprurëse”.
/Futurism.com/
Add new comment