Frontex në kaos/Skandalet trazojnë Agjencinë Europiane të Kufirit
Agjencia Europiane e Kufijve është në kaos. Akuza për ngacmime në vendin e punës, keqmenaxhim dhe parregullsi financiare rëndojnë mbi kreun e FRONTEX, Fabrice Leggeri.
Sipas gjermanes “Der Spiegel”, skandalet në të cilat dyshohet se është përfshirë Leggeri lidhen edhe me riatdhesime të paligjshme të refugjatëve në kufijtë e jashtëm të Evropës. Kjo e ka dëmtuar agjencinë, e cila të paktën që prej janarit të këtij viti është në një krizë, që nuk ka kursyer asnjë shkallë të hierarkisë, duke arritur deri te trupat e këmbësorisë, projekti prestigjioz i agjencisë së menaxhimit të kufirit.
Frontex planifikon të vendosë deri në 10 000 roje kufitare në kufijtë e jashtëm të BE brenda disa vitesh. Nëpunësve civilë u janë premtuar pajisje të reja dhe paga të larta, një angazhim ky direkt i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Yjet e flamurit të BE shkëlqejnë në mëngët e uniformave të reja blu të veshura nga trupat rezervë. Puna mund të tingëllojë joshëse në letër, por është gjithçka tjetër përveç kësaj në vendet ku janë vendosur rojet rezervë, si Greqia, Kroacia dhe Shqipëria”, shkruan Der Spiegel.
Oficerët ankohen për mungesë automjetesh, madje në disa raste ata duhet të paguajnë vetë për karburantin. Ata pretendojnë se shpenzimet nuk u janë rimbursuar për arsye burokratike dhe se pjesë të uniformave të reja mungonin dhe kjo i detyroi t’i blinin vetë.
Oficerët kanë detyrën e kapjes së shkelësve të ligjit dhe kontrabandistëve, por oficerëv të Kategorisë 1, të cilët punësohen direkt nga Frontex, deri më tani nuk u është lejuar të mbajnë armë sepse agjencia nuk arriti të siguronte bazën ligjore për ta bërë këtë në kohë. Si pasojë, rojet e kufirit, gjoja anëtarë të një force elite evropiane, duhet të shoqërohen në secilin prej patrullimeve të tyre nga forcat e sigurisë kombëtare.
Ngritja e një njësie këmbësorie është një nga projektet më të rëndësishme të BE-së për politikën e migracionit. Qëllimi është të kontrollohet imigracioni i parregullt. Por projekti nuk arrin të kënaqë as pritshmëritë minimale prej vitesh. “Ndërkohë, kreu i agjencisë po grumbullon gjithnjë e më shumë pushtet por nuk duket se di ta përdorë si duhet”, shkruan Der Spiegel.
Ndër skandalet e para ishte ai me emigrantët në Detin Egje, ku Frontex dyshohet se është përfshirë në riatdhesimin e paligjshëm të refugjatëve, me fjalë të tjera kthim mbrapsht. Bordi Menaxhues i Frontex ka nisur një hetim, po ashtu edhe Ombudsmani Europian.
“Hetimi përfshin një rast të mundshëm mashtrimi që përfshin një ofrues të shërbimeve, akuzat për ngacmime në vendin e punës dhe nëse informacioni është mbajtur nga zyrtari i të drejtave themelore të agjencisë, puna e të cilit është të monitorojë respektimin e të drejtaveve themelore të njeriut të përcaktuara në statutet, konventat dhe ligjin ndërkombëtar. Dokumentet e brendshme sugjerojnë që i gjithë stili i udhëheqjes së Leggeri po shqyrtohet”, shkruan më tej Der Spiegel.
Kjo e fundit shton se investigimit të saj i janë bashkuar edje organizata Lighthouse Report dhe gazeta francize Liberation, të cilat kanë arritur në të njëjtin konkluzion: një agjenci në trazira.
Selia e Frontex ndodhet në një kompleks zyrash në Varshavë, jo shumë larg nga qendra e qytetit. Për vite, vetëm disa zyrtarë kanë punuar aty duke përpiluar raporte mbi rrugët e migrimit. Rojet aktuale të kufirit janë huazuar nga forcat e policisë kombëtare.
Por agjencia është rritur nga një buxhet prej pak më shumë se 6 milionë euro në 2005, në 460 milionë euro në 2020. Deri në vitin 2027, taksapaguesit e Evropës do të kenë siguruar 5.6 miliardë euro për financimin e agjencisë.
Frontex tani ka rojet e veta kufitare, të quajtura trupa këmbësorie, përveç avionëve dhe dronëve që së shpejti do të sigurojnë mbikëqyrjen e detit Egje. Rritja e Frontex-it lidhet ngushtë me Leggerin, njeriun që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për të formuar agjencinë.
Leggeri, 52 vjeç, ka lindur në Mulhouse, në rajonin e Alsasës në Francë dhe flet rrjedhshëm gjermanisht. Ai ka studiuar në Strasburg, në një universitet që ka prodhuar prej kohësh elitën franceze. Nga 2013-a, ai ka punuar në Ministrinë e Brendshme në Paris në departamentin për emigracionin e parregullt. Në atë kohë, qeveria mbrojti zgjerimin e Frontex dhe dy vjet më vonë, Leggeri u emërua kreu i agjencisë. Kolegët e përshkruajnë si teknokrat.
Add new comment