Marsi ka kaluar 20 epoka akullnajash
Marsi ka kaluar rreth 20 epoka akullnajash. Një analizë e re e gjeologëve mbi planetin e kuq i ka dhënë fund debatit nëse akullnajat në Mars ishin rezultat i një epoke të gjatë akullnajore ose të shkaktuara nga epoka të veçanta të shtrira në periudha të ndryshme kohore.
Ndërsa epokat e akullit janë shkaktuar nga ndryshimi i këndit të boshtit të një planeti, rezultatet premtojnë t'u tregojnë shkencëtarëve ndryshimet në orbitën marsiane dhe klimën. Përcaktimi i saktë i kohës së epokave të akullit mund të ndihmojë gjithashtu për të kuptuar se çfarë mund të bllokohet nën akull, duke përfshirë shkëmbinj, fosile, mikrobe dhe gazra.
Studimi u drejtua nga profesori i gjeologjisë Joe Levy i Universitetit Colgate dhe përfshiu shkencëtarë nga NASA, Universiteti i Arizonës, Universiteti Shtetëror i Fitchburgut dhe Universiteti i Teksasit – Austin. Konkluzionet u botuan në PNAS.
Ekipi i studiuesve analizoi 45 akullnaja duke përdorur imazhe me rezolucion të lartë nga sateliti Mars Reconnaissance Orbiter.
Profesori përdori inteligjencën artificiale dhe 10 studentë të universitetit, të cilët gjatë dy verave analizuan rreth 60 000 shkëmbinj. Ata u përqendruan në shpërndarjen, grumbullimin dhe madhësitë e shkëmbinjve, duke kërkuar shenja të erozionit. E ashtuquajtura "punë virtuale në terren" e ekipit i lejoi shkencëtarët të vendosnin në hartë gurët nëpër akullnajat marsiane.
Shkencëtarët panë se për habinë e tyre, shkëmbinjtë lëviznin përgjatë pjesës së brendshme të akullnajave, në vend që të gërryheshin në mënyrën e parashikuar. Shkëmbinjtë dukeshin të grupuar nëpër akullnaja, çka flet për rrjedhje të veçanta që ndodhën me kalimin e kohës, në vend që të shkaktoheshin nga fenomen i përmasave të mëdha.
Duke përdorur të dhënat, studiuesit arritën në përfundimin se Marsi kaloi nga gjashtë deri në 20 epoka të dallueshme akulli mbi 300 deri në 800 milionë vjet. Këto akullnaja mund të konsiderohen në një farë mënyre kapsula të vogla kohe, të cilat do të shërbejnë për të ndërtuar historinë e planetit.
Add new comment