Rikthim në krizë, Giuseppe Conte jep dorëheqjen
Kryeministri italian, Giuseppe Conte, pritet të japë dorëheqjen. Lajmi është konfirmuar nga vetë kryeministria me anë të një njoftimi zyrtar. Conte pritet ta njoftojë vendimin të martën në mëngjes dhe më pas do ta paraqesë atë te presidenti i republikës, Sergio Mattarella. Javën e kaluar, kabineti i Conte-s mori votëbesimin e të dy dhomave të Parlamentit, megjithëse me një maxhorancë të brishtë. Qeveria “Conte” hyri në krizë dy javë më parë, kur partia e ish-kryeministrit Matteo Renzi, Italia Viva, tërhoqi dy ministra të saj, duke dalë zyrtarisht nga koalicioni. Pavarësisht mbështetjes nga dy dhomat e Parlamentit, Conte duket se nuk mundet ta zgjerojë shumicën e tij.
Në këtë pikë pritet të nisin sërish bisedimet politike. PD dhe Lëvizja 5 Yjet mund të përpiqen të formojnë një qeveri të re, me një ekip të rinovuar ministrash. Gjatë këtyre orëve negociatat me figura të caktuara të Italia Viva dhe me përfaqësuesit e Forza Italia vijojnë. Megjithatë, lideri i kësaj të fundit, Silvio Berlusconi, e ka hedhur poshtë këtë fakt.
“Asnjë negociatë nuk po zhvillohet, jo sigurisht nga unë, nga ndonjë prej bashkëpunëtorëve të mi, as nga deputetë apo senatorë të Forza Italia, për ndonjë mbështetje të çfarëdo lloji ndaj qeverisë aktuale", ka thënë ai.
Add new comment