Eksperimentet e Google penalizojnë mediat australiane
Disa eksperimente që po kryhen nga Google kanë sjellë reagimin e Reporterëve pa Kufij. Organizata i cilëson arbitrare testet e motorit të kërkimit, të cilat do të zgjasin deri në shkurt.
Praktikisht, eksperimenti ka për qëllim të matë korrelacionin mes medias dhe kërkimit në Google. Por sipas Reporterëve pa Kufij, përdoruesit e Google nuk janë vënë paraprakisht në dijeni për pasojat e eksperimentit, me fjalë të tjera privimin nga aksesi i zakonshëm në shumë burime lajmesh.
Shumë faqe kombëtare të lajmeve nuk po shfaqen më në rezultatet e kërkimit. Në listë janë ABC (vesioni australian), “Financial Revieë” (Australia), The Age, The Guardian Australia dhe The Sydney Morning Herald. Këto media nuk janë shfaqur në rezultatet e kërkimit të rreth 1% të përdoruesve australianë që nga 13 janari, data në të cilën Google nisi testimin.
“Shumica e australianëve e përdorin Google për të gjetur dhe aksesuar lajmet në internet. Këto eksperimente konfirmojnë shkallën e fuqisë që ushtrojnë platforma si Google mbi qasjen në përmbajtjen gazetareske në internet dhe aftësinë e tyre për të abuzuar me këtë pushtet në dëm të aksesit të publikut në informacion. Ata kanë për detyrë të jenë transparentë dhe të informojnë përdoruesit e tyre, një detyrë kjo edhe më e madhe në dritën e ndikimit që eksperimentet aktuale dhe ato të ardhshme mund të kenë në pluralizmin gazetaresk”, tha Iris de Villars nga Reporterët pa Kufij (RSF).
Çdo vit, Google kryen mijëra teste në motorin e saj të kërkimit. Këto teste kanë të bëjnë me ndryshimet në dizajn, modifikimet e algoritmeve dhe funksionet e reja.
Kjo nuk është hera e parë që eksperimente të tilla prekin pluralizmin e gazetarisë online. P.sh. Facebook ka testuar një funksion të ri me emrin Explore në gjashtë vende: Bolivi, Kamboxhia, guatemalë, serbi, Sllovaki dhe Sri Lanka, nga tetori 2017 në mars 2018.
Ky eksperiment, në të cilin përmbajtja e pavarur e lajmeve ishte zhvendosur në një vend sekondar jo shumë të arritshëm, pati një ndikim katastrofik në pluralizmin gazetaresk në këto vende. Për pasojë, trafiku drejt mediave lokale ra në mënyrë dramatike.
Në Australi, eksperimentet e Google vijnë në një kohë kur është rritur tensioni mes platformës dhe qeverisë. Kjo e fundit ka propozuar një ligj, sipas të cilit platformat si Google dhe Facebook detyrohen të ndajnë paratë e reklamës me kompanitë mediatike.
Google dhe Facebook e kanë kundërshtuar ashpër këtë ligj. Madje, ato janë kundërpërgjigjur.
Facebook ka thënë se do t’u ndalojë mediave dhe përdoruesve australianë të ndajnë përmbajtje gazetareske në platformë dhe në Instagram, ndërsa Google ka shtuar një mesazh pop-up në rezultatet e kërkimit, i cili i paralajmëron përdoruesit australianë se "kërkimi do të kufizohet nga rregullorja e re”.
Add new comment