Koha që Kryeministri i Shqipërisë të jetë kandidat në Shkodër

Postuar në 20 Janar, 2021 22:51

Zgjedhjet e përgjithshme po afrojnë dhe këtë e sinjalizon edhe shtimi i lajmeve mbi zonat e kandidimit. Kësaj radhe kanë ndryshuar disa gjëra dhe gara duket e ndërlikuar në disa drejtime. Në planin politik opozita do të duhet ta kishte të thjeshtë për shkak se janë në mes 8 vjet qeverisje mbushur me skandale dhe korrupsion epokal.

Mirëpo ne po dëshmojmë një lloj belbëzimi të çuditshëm që mund të shpjegohet me lloj lloj skenarësh: Lulzim Basha nuk tregon se ku do të kandidojë. As Sali Berisha. Diçka që të lë të kuptosh se në PD po ndodh një proces përplasjeje që duket se po kërkon të zgjidhet qysh këto zgjedhje. Në varësi të kandidimit të njëri lider përcaktohet deri diku edhe kandidimi i liderit kundërshtar, meqenëse gara është edhe personale.

E paqartë është situata edhe në kampin e socialistëve. Sigurisht që z. Rama nuk ka komplekset – në dukje të paktën- të Lulzim Bashës në këtë drejtim. Por bilanci i tij politik, ngjarjet që kanë ndodhur dhe problemet që janë mahisur, diktojnë deri diku sugjerimin që kryeministri duhet të kandidojë në një qytet që ka zgjedhur në këto 30 vjet që të vetëpërfaqësohet me një lloj disidence: Shkodra.

Ka disa arsye që i japin kuptim kandidimit të Edi Ramës në qendrën e Veriut.

Së pari nuk ka më kuptim qenia deputet i kryeministrit në Vlorë, një qark ku PS-ja ka bazën e vet thuajse kryesore dhe që numeriisht nuk ka ndonjë vlerë më të veçantë se Shkodra. Edhe kandidimi në Durrës, një qark me shumë rëndësi nuk ka vlerë simbolike dhe nuk korrigjon situatën kriminale të ekonomisë së rajonit, por ngre dyshime për një simbiozë të re.

Së dyti, Shkodra u penalizua nga qeverisja dhe politika e këtij njeriu dyfish: duke përfshirë në Parlamentin e shkuar njerëz me rekorde kriminale nga qarku katolik që u interpretua nga opozita si politikë e posaçme antiveriore, me pretendimin se po synohej identifikimi i veriorëve me krimin.

Zgjedhjet lokale në Shkodër krijuan një anomali për shkak të daljes nga skena të Valdrin Pjetrit, edhe ky me origjinë shkodran, por pa lidhje me qytetin. Pas tij në detyrë mbeti Voltana Ademi e PD-së, me të cilën z. Rama mban një marrëdhënie publike konfliktuale duke snobuar me arrogancë çdo gjë që vjen nga vendimmarrja e saj. Është koha që edhe Shkodra të provojë dorën e Rlindjes, artin dhe estetikën e saj.

Prej dekadash tanimë, fitoret elektorale të socialistëve në Shkodër vijnë nga njerëz atipikë për të si Tom Doshi, apo Paulin Sterkaj. Pra njerëz që i përkasin komuniteteve që normalisht do të duhet të qëndronin larg kësaj force, ndonëse edhe së fundmi lëvizjet e znj. Topalli dëmtojnë në fakt PD-në. Është koha që një gjë e tillë të ndryshojë dhe pulsi i qytetarisë për të cilën mburret kaq shumë z. Rama të matet në qytetin e ndërlikuar politikisht të Veriut.

Aq më shumë vlen kjo kur kujton se marrëveshja më korruptive në historinë e tranzicionit shqiptar, ajo e prillit 2013 u formalizua në Shkodër, me një trill simbolik teatral të z. Rama që kërkonte të bënte ndryshimin duke kaluar Shkumbinin pa luftë.  

Shkodra është i vetmi rajon, apo qytet që konteston narrativën zyrtare të Tiranës prej dekadash nga një perspekitvë kulturogjike, politike, fetare, historike, identitare, por edhe humanizmi. Sepse nëse ka një gjë të sigurtë që ka prodhuar pa ndalim politika e Tiranës, ai është krimi i çdo lloji: njerëzor, politik, mjedisor, kulturor.

Ndaj z. Rama që së fundmi po shfaqet si misionar dhe që pretendon me këmbëngulje se qëndron në lartësitë e figurave historike shqiptare, është e udhës të tërheqë karrocën socialiste nga ky qytet. Ku nuk do të duhet të marrë mandatin, por të fitojë. Për të zgjidhur kështu deri diku edhe një keqkuptim që vazhdon prej kohësh mes Veriut dhe Jugut, por edhe për të matur se deri ku është bërë fluid identiteti ynë që militon vazhdimisht me historinë.

s.zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.