Varianti danez i Covid-19 mund të jetë rezistent ndaj vaksinës
Variante të reja të Covid-19 vijojnë të zbulohen në vende të ndryshme. Dy ditë pasi Departamenti i Shëndetit Publik të Los Anxhelosit njoftoi se varianti britanik, i njohur si B.1.1.7, ishte identifikuar në rajon, Departamenti i Shëndetit Publik të Kalifornisë zbuloi se edhe një tjetër variant më pak i njohur kishte qarkulluar në vend. I njohur si L452R, ky variant është shfaqur fillimisht në Danimarkë në mars.
Në Kaliforni, ai mbërriti në maj. Dr. Charles Chiu, virolog dhe profesor i mjekësisë laboratorike në UCSF, i cili, në bashkëpunim me autoritetet shtetërore, ka bërë renditjen gjenetike të mostrave për të identifikuar variante të reja, tha se indikacionet e hershme tregojnë se L452R mund të jetë më pak i ndjeshëm ndaj vaksinave të aprovuara aktualisht, por megjithatë për ta saktësuar këtë duhen më shumë kërkime.
"Ky variant mbart tre mutacione, përfshirë L452R, në proteinën spike, të cilën virusi e përdor për t'u ngjitur te qeliza dhe për të hyrë brenda saj. Proteina spike është shënjestra e dy vaksinave që aktualisht janë në dispozicion në Shtetet e Bashkuara", tha dr. Chiu.
Një mutacion i proteinave spike mund të ketë efekt në efikasitetin e vaksinës.
Varianti i ri është zbuluar në disa zona të SHBA. Për shkak se renditja gjenomike është e rrallë, aktualisht nuk dihet se i përhapur është L452 në të gjithë vendin apo në rang global. Dr. Chiu tha se L452R u rrit nga rreth 3.8% e mostrave që ai testoi deri në fillim të dhjetorit 2020, në më shumë se 25.2% në fund të dhjetorit deri në fillim të janarit 2021.
Add new comment