Tellalli Erjon...
Sot mediat citojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Ejon Veliaj të jetë shprehur ndër të tjera se nuk do t’ia japë lejen për vilën e pestë kunatit të Lulzim Bashës.
S’keni bërë gjë për tërmetin tha! Dakord, deri tani ne kemi bërë 1000 shtëpi private dhe kanë filluar dhjetra pallate. Po ti çfarë bërë për tërmetin? Ai bëri 4 vila dhe kishte ardhur në Bashkinë e Tiranës të aplikonte për vilën e pestë. I thashë: Vetëm po vdiqa unë do të kalojë leja për vilën e pestë. Ik fal një nga ato që ke sepse kjo është një paturpësi dhe pacipësi e pashoqe. Fal një nga ato që ke, pastaj eja apliko për vilën e 5...Sa të jem unë kryetar bashkie nuk do të ketë vilë të pestë sepse çdo gjë ka një limit, ka një masë
Çfarë na mëson ky denoncim që të kujton mbledhjet e Frontit të Lagjes, mbledhje në të cilat ky demode pa karakter do të ishte në vendin e tij ideal?
Na mëson se kryetari i PD-së ka katër vila të cilat i ka ndërtuar kur ishte në krye të Bashkisë. Pra nuk paska fjetur edhe aq shumë. Vila të cilat partia e z. Veliaj nuk i ka zënë në gojë përgjatë këtyre kohëve për arsye ndoshta se nuk ka patur kohë pse i është përveshur punëve për përparimin e Shqipërisë.
Tjetër çfarë mësojmë? Mësojmë se Erjon Veliaj mendon se mund të japë realisht leje për vila.
Tani kur sheh Bang Bangun arrin e beson se çdo gjë është e mundshme. Ky është lezeti i të qenit fëmijë. Mirëpo realiteti është disi më ndryshe. Veliaj është tellalli që bën zham zham rrugëve për të baltosur e bindur berihanë për lajmet që ia thonë. Jo vetëm. Por edhe lajmet që mendon se i bëjnë punë shefit të tij. Përndryshe thuajse të gjithë e dinë se Veliaj nuk ka në dorë të japë leje, as për kulla, as për vila, as për prishje Teatrosh apo ndërtim sheshesh. Ai atë leje e merr me iradenë e Edit të Kryeministrisë që ia heq kur do. Siç bëri p.sh, për të kujtuar këdo se është ai kokoshi i farës në atë qymez kuqalashësh, kur e urdhëronte Lali Erin të lyente muret me bojë në pallatet e dëmtuara nga tërmeti.
Ndaj Tellali Erjon le të vazhdojë të kujtojë se është gjeneral, madje le t’i kushtojnë atij edhe skriptin e mbrëmjes, sepse askush nuk ka iluzione se ky kapter i hardallosur i socialistëve ka me të vërtetë gjë në dorë. Pa folur për faktin se po e luan rolin e drejtuesit politik për kryeqytetin si zelltar i Kontrollit Punëtor. Pa folur pastaj për fatkeqësinë se ky na qenka I ZGJEDHUR!!!
Add new comment