Televizioni shtetëror turk paralajmëron skenarin e Krimesë për Kazakistanin

Postuar në 15 Janar, 2021 02:27

Televizioni shtetëror turk, TRT, publikonte dje një shkrim në autorësinë e Mansur Mirovalev nën titullin paralajmërues të një aneksimi eventual të Kazakistanit nga Rusia. Autori, një gazetar që ka punuar për disa agjenci të njohura lajmesh, i referohej disa deklaratave të deputetëve rusë dhe sidomos qëndrimeve të një deputeti të partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar,  Vyacheslav Nikonov që në një dalje televizive në dhjetor ndër të tjera tha se:

Kazakistani thjesht nuk ka ekzistuar Kazakistani i veriut ka qenë i pabanuar. Dhe aktualisht, territori i Kazakistanit verior është një dhuratë e madhe nga Rusia dhe Bashkimi Sovjetik

Autori vë në dukjet se ky deputet është nipi I Vyacheslav Molotov, çka i jep tjetër tingëllim qëndrimeve të kësaj natyre të cilat kanë sjellë reagimin e presidentit kazak, Kasym-Zhomart Takyev. Kundërpërgjigja mbi  shtetësinë dhe historinë ka nxjerrë në pah ballafaqime që sjellin në referencë edhe hunët e Atilës dhe Ghengis Khanin. Diçka absurde por që shërben mirë si sebep tensionesh.

Pas kësaj përplasjeje të parë një tjetër deputet rus, citohet të jetë shprehur në mënyrë edhe më provokative:

Nëse nuk e konsideroni një dhuratë – kthejeni sepse e keni marrë në mënyrë ilegale

është shprehur  deputeti Yevgeny Fyodorov, i cili drejton Lëvizjen Nacionale Çlirimtare, e rreshtuar pranë presidentit Vladimir Putin. 

Qëndrime të tilla po shihen me shqetësim sepse mënyra sesi ato hidhen dhe qarkullojnë të kujtojnë rastin e Krimesë, për të cilën politika ruse ka folur që në vitet ’90. Putin vetë ka deklaruar se shumë ish-republika sovjetike u larguan nga unioni duke përfituar territore sipas tij historikisht ruse. Në rastin e Kazakistanit ka arsye për të besuar se ai është një pre e mundshme e Kremlinit. Me një sipërfaqe pesë herë sa Franca,  ai popullohet nga vetëm 18 milionë banorë , por ai kontrollon një pjesë të shelfit kontinental të Kaspikut ku ka rezerva shumë të mëdha gazi.

Historia e afërt e lidh Kazakistanin me Rusinë në disa fije të ndërlikuara, kazakët pretendojnë se në vitet ’30 uria godit vendin duke vrarë gjysmën e popullsisë dhe duke detyruar qindra mijëra të emigrojnë në Kinën Perëndimore. Një ngjarje që argumentohet se ka frenuar rritjen e popullsisë në këtë vend. Në dallim nga ish-republikat e tjera, Kazakistani, ndoshta për shkak të aktiviteti të gjerë industrial dhe ushtarak të kohës sovjetike ka ndikime të mëdha nga Rusia. Rusishtja është madje gjuha dominuese në një vend  me 130 minoritete, çka e bën të lehtë përhapjen e mesazhit të Kremlinit në këtë vend.

Shkrimi në fakt apelon në vetvete për një përballje mes botës turke dhe asaj sllave, kryesisht ruse, në vija tradicionale konflikti. P.sh shqetëismi kryesor i Turqisë në Krime janë tatarët që qëndrojnë aty si një pykë myslimane në një rajon që Rusia e konsideron strategjik. Dhe të cilin e aneksoi menjëherë pasi mbaroi punë me Gjeorgjinë në vitin 2008. Rusia me Turqinë u përplasën edhe në Nagorno-Karabakh ku ndanë një marrëveshje armëpushimi të cilën edhe e garantojnë, ndërkohë që ato rregulluan marrëveshje edhe në Siri.  Idetë për një ndërhyrje aneksuese favorizohen aktualisht edhe nga boshllëku që ka krijuar Perëndimi dhe SHBA që ka lënë një zonë të tërë të vetërregullohet përmes konflikteve deri më tani të ngrira.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.