Para 25 prillit skadojnë mbi 1 milionë karta identiteti
Nga 3.5 milionë shqiptarë me të drejtë vote, më shumë se një e treta e tyre mund të mos kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit për shkak të skadimit të kartës së identitetit. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Beldar Doracaj, shprehet se mbi 1 milion personave ose u ka skaduar karta e identitetit ose pritet t’u skadojë.
"Një numër i konsiderueshëm qytetarësh për shkak të shtyrjes së afatit të vlefshmërisë, nuk shkuan pranë zyrave të aplikimit për t’u pajisur me dokumentet e reja biometrike. Një numër i konsderueshëm, rreth 1 milionë shtetas. 800 e ca mijë deri më 31 dhjetor dhe 100 mijë deri në 25 prill, iu kanë skaduar ose iu skadojnë letërnjoftimet elektronike", është shprehur Doracaj.
Në intervistën për MCN TV, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile thotë se qytetarët janë neglizhentë edhe për të saktësuar adresën e vendbanimit, kriter kryesor për t’u përfshirë në listat zgjedhore.
“Në portalin e-Albania, ne kemi lançuar shërbimin më të ri, që është saktësimi i adresës online. Tashmë jemi në fazën e fundit dhe mund të themi që nga muajt korrik-gusht, 20% i shtetasve që nuk e kanë bërë do vijë duke u reduktuar, deri në zerimin e saktësimit. Pa një letërnjoftim elektronik, askush nuk mund të marrë një shërbim pranë zyrave të shtetit, por edhe në institucionet private", tha ai.
Add new comment