Punonjësit e Google organizohen për herë të parë në një sindikatë
Mbi 200 punonjës të Google janë angazhuar në krijimin e një sindikate, një hap ky historik për një kompani të madhe teknologjike. Unioni i Punëtorëve të Alphabet, kjo e fundit kompania mëmë e Google, ka mbështetjen e Punëtorëve të Komunikimit të Amerikës.
Nëngrupe më të vogla punëtorësh të Google - punëtorët e kafeterisë në Bay Area dhe kontraktorët në Pittsburgh - janë bashkuar më parë, kjo shënon përpjekjen e parë për të krijuar një sindikatë për mbarë kompaninë.
"Kjo është historike - sindikata e parë në një kompani të madhe të teknologjisë nga dhe për të gjithë punëtorët e teknologjisë", thotë Dylan Baker, inxhinier softuerësh në Google.
"Ne do të zgjedhim përfaqësues, do të marrim vendime në mënyrë demokratike, do të paguajmë detyrime dhe do të punësojmë organizatorë të aftë për t'u siguruar që të gjithë punëtorët në Google ta dinë se mund të punojnë me ne nëse duan të shohin që kompania e tyre të reflektojë vlerat e tyre".
Punëtorët e Google kanë histori të mëparshme të aksionit kolektiv. Në vitin 2018, mijëra punëtorë nënshkruan një peticion kundër Projektit Maven, një kontratë për të ndihmuar Departamentin e Mbrojtjes të gjurmonte individët në pamjet video të kapura nga dronët. Fushata rezultoi se e suksesshme, pasi kontrata u ndërpre.
Google në të njëjtin vit njoftoi se do t'i jepte fund praktikës së arbitrazhit të detyruar pasi 20 000 punëtorë organizuan një përpjekje kritike për trajtimin e sjelljes së keqe seksuale të kompanisë.
Në muajt e fundit, kompania është kritikuar për shkarkimin e Timnit Gebru, studiuese e inteligjencës në Google dhe një nga gratë e pakta me ngjyrë në këtë fushë. Mijëra punonjës të Google nënshkruan një peticion proteste kundër largimit të saj.
Bordi Kombëtar i Marrëdhënieve të Punës muajin e kaluar akuzoi Google-in se po shkarkonte në mënyrë të paligjshme dy punëtorë, të cilët ishin duke u organizuar kundër kompanisë.
Sindikata e Punëtorëve të Alphabet duket se ka shumë punë përpara. Të fitojë mbështetjen e 120 000 punëtorëve të Alphabet mbetet sfidë. Për më tepër, Google mund të mos e njohë sindikatën vullnetarisht duke pasur parasysh se deri tani ia ka dalë t’i dekurajojë përpjekje të tilla.
Krijimi i Sindikatës së Punëtorëve të Alphabet vjen në një kohë kur organizimi i punonjësve në ndërmarrjet e teknologjisë sa vjen e rritet.
Organizime të ngjashme ka pasur edhe nga punonjës të kompanive të mëdha si Amazon dhe Facebook.
Add new comment