Shkenca pas flokëve të thinjur
Shpesh flokët e thinjur, sidomos nëse mosha është relativisht e re, i kemi lidhur me stresin. Këtë lidhje e kanë konfirmuar edhe shkencëtarët, të cilët kanë zbuluar një mënyrë të mundshme për ta parandaluar këtë proces.
Në eksperimentet mbi minjtë u vu re se qelizat staminale që kontrollojnë ngjyrën e lëkurës dhe flokëve u dëmtuan pas stresit të fortë.
Burrat dhe gratë fillojnë të thinjen nga mesi i të 30-ave, përgjithësisht në moshën kur kjo u ka ndodhur prindërve të tyre.
Edhe pse varet kryesisht nga procesi natyror i plakjes dhe gjenet, edhe stresi mund të luajë një rol në thinjen e flokëve.
Studiuesit e Universiteteve të Sao Paulos dhe Harvardit ishin të bindur se efektet ishin të lidhura me qelizat burimore të melanociteve, të cilat prodhojnë melaninë dhe janë përgjegjëse për ngjyrën e flokëve dhe lëkurës.
Eksperimenti i kryer me minjtë e konfirmoi këtë bindje.
"Tani e dimë me siguri që stresi është përgjegjës për këtë ndryshim specifik të lëkurës dhe flokëve, dhe mënyrën se si funksionojnë", thotë Prof Ya-Cieh Hsu, autor i hulumtimit nga Universiteti i Harvardit.
Te minjtë u vu re se dhimbja shkaktonte çlirimin e adrenalinës dhe kortizolit, duke i bërë zemrat e tyre të rrihnin më shpejt, ndërsa presioni i gjakut rritej. Kjo ndikon në sistemin nervor dhe shkakton stres akut.
Ky proces u vu re se përshpejtonte shterimin e qelizave burimore që prodhojnë melaninë në gjëndrat e flokëve.
Në këtë aspekt, ndikimi i stresit është i pakthyeshëm, pasi ngjyra e dikurshme nuk mund të kthehet më.
Por, edhe pse i pakthyeshëm, procesi nuk është i pandalshëm. Në një eksperiment tjetër, studiuesit zbuluan se mund të bllokonin ndryshimet duke u dhënë minjve një ilaç që trajton presionin e lartë të gjakut.
Ata kanë identifikuar proteinën e përfshirë në shkaktimin e dëmtimit të qelizave burimore nga stresi.
Kur kjo proteinë - kinaza e varur nga ciklina (CDK) – u vu nën kontroll, rezultoi se trajtimi parandalonte ndryshimin e ngjyrës së qimeve te minjtë.
"Zbulimi ynë, i bërë në minj, është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë për të gjetur një ndërhyrje për njerëzit. Kjo na jep një ide se si stresi mund të ndikojë në shumë pjesë të tjera të trupit", thonë studiuesit.
Add new comment