InterNyet-i sovjetik

Postuar në 27 Dhjetor, 2020 20:10
Benjamin Peters - Universiteti i Tulsa

 

Në mëngjesin e 1 tetorit 1970, informaticieni Viktor Glushkov u drejtua për në Kremlin ku e priste Byroja Politike. Ai ishte një njeri i vëmendshëm, me sy depërtues të rrethuar nga syze të errëta, me një lloj mendjeje që  me t’i dhënë një problem, do të zhvillonte një metodë për zgjidhjen e të gjitha problemeve. Dhe në atë moment, Bashkimi Sovjetik kishte një problem serioz. Një vit më parë, SHBA kishin prezantuar ARPANET, rrjeti i parë kompjuterik i shpërndarjes së fragmentarizuar të të dhënave që do të bëhej me kohë, interneit që njohim sot. Rrjeti i shpërndarjes në fillesë u projektua për të shtyrë SHBA-të para sovjetikëve, duke u lejuar shkencëtarëve dhe liderëve të qeverive që të kishin një kompjuter për të komunikuar edhe në eventualitetin e një sulmi bërthamor. Ishte kulmi i garës teknologjike dhe sovjetikët duhet të përgjigjeshin.

Ideja e Glushkov ishte të inaugurohej një erë e socializmit elektronik. Ai e quajti projektin e vet kolosal: Sistemi i Automatizuar Gjithështetëror. Ai synonte të modernizonte dhe të përmirësonte teknologjikisht të gjithë ekonominë e planifikuar. Ky sistem sërish do të merrte vendimet ekonomike përmes planeve shtetërore, jo nga çmimet e tregut, por do të përshpejtonte përmes modelimit kompjuterik parashikimin e ekuilibrit përpara sesa ai të arrihej. Glushkov synonte një vendimmarrje më të shpejtë dhe më të zgjuar dhe ndoshta edhe një monedhë elektronike. Gjithçka çka ai kishte nevojë, ishte portofoli i Byrosë Politike.

Por kur Glushkov hyri në dhomën e stërmadhe atë mëngjes, ai vuri re dy karrige bosh në anë të tavolinës së gjatë: dy aleatët e tij më të ngushtë nuk ishin aty. Në të vërtetë, ai u gjend përballë një tryeze me ministra ambiciozë, me sy të ftohtë, shumë prej të cilët e donin për vete portofolin dhe mbështetjen e Byrosë Politike.

Mes viteve 1959-1989, njerëzit kryesorë të shkencës dhe të shtetit në Bashkimin Sovjetik u përpoqën disa herë që të ndërtonin një rrjet kompjuterik kombëtar për qëllime gjerësisht sociale. Me plagët e thella të Luftës së Dytë Botërore ende të pambyllura, Bashkimi Sovjetik vijoi specializimin në projekte masive modernizuese që kishin shndërruar në harkun e dy brezave një komb carist fshatarësh analfabetë dhe të shpërndarë, në një fuqi globale bërthamore.

Pasi lideri sovjetik Nikita Hrushov denoncoi kultin e personalitetit të Stalinit në vitin 1956, një ndjesi e mundësisë përfshiu vendin. Në këtë skenë nisën të hyjnë një sërë projektesh socialiste për lidhjen në rrjet të ekonomisë kombëtare, mes tyre edhe propozimi i parë në botë për krijimin e një rrjeti kompjuterik kombëtar civil. Ideja ishte e kërkuesit ushtarak Anatoly Ivanovich Kitov.

I ri, me trup të vogël dhe një mendje të prirur për matematikë, Kitovi ishte ngjitur në radhët e Ushtrisë së Kuqe gjatë LIIB-së. Më pas, në vitin 1952, në një librari sekrete ushtarake, ai ra në kontakt me kryeveprën e Norbert Wiener “Kibernetika”(1948), një neologjizëm ardhur nga greqishtja për timonierin dhe pas luftës, emri i një shkence për vetëkontrollin e sistemeve informatike. Me mbështetjen e dy shkencëtarëve të vjetër, Kitov përktheu "Kibernetika" në një gjuhë të fortë ruse, me një qasje për zhvillimin e sistemeve të vetëkontrollit dhe komunikimit me kompjuterët. Fjalori i sistemeve fleksibël të kibernetikës synonte të pajiste shtetin sovjetik me një komplet mjetesh të teknologjisë së lartë për qeverisje racionale marksiste, një antidot ndaj dhunës dhe kultit të personalitetit që karakterizonte shtetin e fortë të Stalinit. Në fakt, ndoshta kibernetika mund edhe të ndihmonte për t’u siguruar se nuk do të kishte kurrë një diktator të fuqishëm, por ndoshta kjo ishte vetëm mënyra sesi e shihte atë ëndrra teknokratike.

Në vitin 1959, Kitov, në cilësinë e drejtorit të një qendre kërkimore sekrete ushtarake për kompjuterët, iu përkushtua zhvillimit të “fuqisë së pakufizuar përllogaritëse të besueshme” me synim një planifikim më i mirë i ekonomisë kombëtare, që ishte problemi i përhershëm i koordinimit të informacionit që kërcënonte projektin socialist sovjetik(në vitin 1962 u zbulua p.sh se një gabim në përllogaritjet e bëra në vitin censusin e vitit 1959 kishte sjellë një gabim me 4 milionë njerëz në numrin e përgjithshëm të popullsisë). Kitov i hodhi mendimet e tij në “Letrën e Librit të Kuq” që ia dërgoi Hrushovit. Ai propozoi që të të lejoheshin “organizata civile” që të përdornin “komplekset” funksionale kompjuterike të ushtrisë për planifikim ekonomik gjatë orëve të natës, kur shumica e ushtarakëve ishte në gjumë. Gjatë kësaj kohe, mendonte ai, planifikuesit e ekonomisë mund të përdornin surplusin përllogaritës ushtarak për të rregulluar problemet e censusit në kohë reale, duke korrigjuar planin ekonomik gjatë natës, nëse do të ishte e nevojshme. Ai e quajti rrjetin e tij kompjuterik ushtarko-civil Sistemi i Menaxhimit Automatik Ekonomik.

Siç ndodhte, letra e tij ra në dorë të mbikëqyrësve ushtarakë të Kitovit, përpara sesa të arrinte Hrushovin. Ata u tërbuan nga propozimi i tij për të përdorur burimet e Ushtrisë së Kuqe bashkarisht me planifikuesit ekonomisë – burime të cilat madje Kitovi guxonte t’i përshkruante se po mbeteshin pas kohës. Për të vlerësuar këtë shkelje të tij, u organizua një gjyq sekret ushtarak, për shkak të të cilit Kitov u përjashtua nga Partia Komuniste për një vit dhe u largua përfundimisht nga ushtria. Kështu përfundoi edhe rrjeti i parë publik kompjuterik kombëtar që ishte propozuar deri në atë kohë.

Megjithatë ideja mbijetoi. Në fillim të viteve ’60 një tjetër shkencëtar rimori propozimin e Kitovit, një njeri me të cilin Kitov do të krijonte aq miqësi saqë, dekada më vonë, fëmijët e tyre do të martoheshin: Viktor Mikhailovich Glushkov.

Vetë emri i plotë i planit të Glushkovit – Sistemi i Automatizuar Gjithështetëror për Mbledhjen dhe Procesimin e Informacionit për Llogaritjen, Planifikimin dhe Qeverisjen e Ekonominsë Kombëtare, BRSS – flet qartë për ambiciet e veta epike. I propozuar fillimisht në vitin 1962, sistemi në fjalë - OGAS akronimi rusisht – synonte të kthehej në një rrjet kompjuterik kombëtar me akses në distancë dhe me veprim në kohë reale, ndërtuar mbi telat ekzistues dhe të rinj të linjave telefonike. Në versionin e tij më ambicioz, ai do të shtrihej në pjesën më të madhe të kontinentit euraziatik, për t’u përhapur në formën e një sistemi nervor në çdo fabrikë dhe sipërmarrje të ekonomisë së planifikuar. Shpërndarja ishte modeluar sipas hierarkisë së strukturës piramidale me tre nivele të shtetit dhe ekonomisë: një qendër kompjuterike në Moskë do të lidhte diku te 200 qendra të mesme kompjuterike në qytetet kryesore, që nga ana e tyre do të lidheshin me më shumë se 20 000 kompjuterë fundorë të përhapur në sitet kryesore të prodhimit të ekonomisë kombëtare.

I pandarë nga angazhimet më të mëdha të punës dhe jetës së Glushkov, plani i krijimit të rrjetit pasqyronte një projekt konceptuar qëllimisht mbi decentralizimin. Kjo do të thoshte se ndërsa Moska mund të specifikonte se kush do të merrte një autorizim, çdo përdorues i autorizuar mund të kontaktonte çdo përdorues tjetër në piramidën e rrjetit – pa lejen e drejtpërdrejtë nga një nyje tjetër. Brenda vetes Glushkov i kuptonte avantazhet e shfrytëzimit të njohurive të njësive lokale në projektimet e rrjetit, pasi kishte kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij duke punuar në probleme matematikore që lidheshin me këtë çështje, teksa udhëtonte me tren nga shtëpia e tij në Moskë(me humor ai e quante trenin Kiev-Moskë shtëpinë e tij të dytë).

Projekti i OGAS iu duk shumë zyrtarëve shtetërorë dhe planifikuesve ekonomikë, sidomos në fund të viteve ’60, si përgjigja më e mirë ndaj një enigme të vjetër: sovjetikët kishin rënë dakord se komunizmi ishte rruga e së ardhmes, por askush që nga Marksi dhe Engelsi nuk e dintë se cila ishte mënyra më e mirë për të mbërritur aty. Për Glushkovin, përllogaritja në rrjet mund ta shtynte vendin ngadalë drejt një ere të cilën autori Francis Spufford më vonë do ta quante “e kuqe me bollëk”(Red Plenty). Ishte mjeti përmes së cilës limfa jetike e drejtimit të avashtë ekonomik – kuota, plane dhe konspekte të standardeve industriale-do të shndërrohej në breshërinë neurale të kombit, duke lëvizur me shpejtësinë sublime të elektricitetit. Projekti nuk nënkuptonte asgjë më pak sesa inaugurimin e ‘socializmit elektronik’.

Ambicie të tilla kërkojnë njerëz të shkëlqyer, të angazhuar dhe që kanë vullnetin dhe dëshirën për të hedhur tej mënyrat e vjetra të mendimit. Në vitet ’60, këta njerëz mund të gjendeshin në Kiev – nja dy blloqe larg vendit ku vëllezërit Strugatsky shkruajtën letërsinë e tyre fantastiko-shkencore natën, ndërsa ditën punonin si fizikanë. Aty, në periferitë e Kievit, Glushkov drejtoi Institutin e Kibernetikës për 20 vjetësh, duke nisur që nga viti 1962. Ai e mbushi institutin e tij me të rinj dhe të reja ambiciozë; mosha mesatare e kërkuesve ishte rreth 25 vjeç. Glushkov dhe stafi i tij i ri iu dedikuan zhvillimit të OGAS-it dhe projekteve të tjera kibernetike në shërbim të shtetit sovjetik, si p.sh një sistem i faturave elektronike për virtualizimin e monedhës në një libër llogarish online – kjo në fillim të viteve ’60. Glushkov, që njihej se vinte në lojë ideologët e Partisë Komuniste duke riprodhuar paragrafë të Marksit, e përshkruante inovacionin e tij si një përmbushje besnike të profecisë marksiste për një të ardhme socialiste pa para. Fatkeqësisht për Glushkovin, ideja e një monedhe elektronike sovjetike provokoi ankth dhe ajo nuk mori miratimin e komitetit në vitin 1962. Për fat, projekti i tij i madh ekonomik mbijetoi.

Këta kibernetistë imagjonin një lloj rrjeti neural inteligjent, një sistem nervor për ekonominë sovjetike. Kjo zgjedhje analogjike kibernetike mes rrjetit kompjuterik dhe trurit, krijoi gjurmën e vet në inovacione të tjera të teorisë kompjuterike në Kiev. P.sh, në vend të të ashtuquajturit gypi i von Neuamn(që kufizon sasinë e të dhënave që mund të transferohen në një kompjuter), skuadra e Glushkov  propozoi “procesimin makro-transmetues”(macro-piping processing) modeluar sipas veprimit të njëkohshëm sinaptik në trurin e njeriut.

Përveç kuadrit të projekteve të panumërta kompjuterike, kishte edhe skema të tjera teorike që përfshinin teorinë e automatizimit, zyrën pa letra dhe gjuhën natyrale të programimit që do t’u mundësonin njerëzve komunikimin me kompjuterët semantikisht, jo thjesht përmes sintaksës siç bëjnë edhe sot programuesit. Edhe më ambicioze se kaq ishte teorizimi prej Glushkovit dhe studentëve të tij i “pavdekshmërisë së informacionit”, një koncept që mund ta quajmë edhe si “ngarkim i mendjes”(upload) nëse do të kemi në dorë Isaac Asimov apo Arthur C Clarke. Dekada më vonë, në shtratin e vdekjes, Glushkov do të ngushëllonte gruan e tij me një reflektim të kthjellët:

Qetësohu”, i thoshte asaj. “Një ditë drita e Tokës sonë nëpër yjësitë dhe në secilën prej tyre ne do të shfaqemi të rinj. Kështu ne do të jemi së bashku përherë në përjetësi”.

...

E gjitha kjo megjithatë kërkonte para- shumë para, sidomos për projektin OGAS. Kjo nënkuptonte se duhej bindur Politbyroja për t’i marrë ato. Dhe kjo ishte arsyeja pse Glushkov gjendej në Kremlin më 1 tetor 1970, me shpresën se do të vazhdonte punën për Kibertonian(emri me të cilin pagëzuan grupin) dhe të sillte internetin në shtetin e ngathët sovjetik.

Një njeri i doli para Glushkovit në rrugën e tij: ministri i Financave, Vasily Garbuzov. Ai nuk donte ndonjë rrjet kompjuterik të optimizuar, me aftësi përllogaritëse në kohë reale që të administronte apo informonte ekonominë shtetërore. Në vend të kësaj ai kërkonte kompjutera të thjeshtë që do të luanin dritat dhe muzikë në kotece për të stimuluar prodhimin e vezëve, siç kishte parë gjatë një vizite të kohëve të funditnë Minsk.

Motivimet e tij sigurisht që nuk kishin lindur nga pragmatizmi i arsyeshëm. Ai donte fondet për ministrinë e vet. Në fakt, zërat thonë se i ishte afruar privatisht kryeministrit me prirje reformatore në ekonomi, Alexei Kosygin, përpara takimit të 1 tetorit, duke kërcënuar se ministria konkurente me të, Administrata Qendrore e Statistikave, kishte kontrollin e projektit OGAS, ndaj Garbyzov dhe Ministria e Financave do të shtypte së brendshmi cdo përpjekje për reforma që mund të sillte, njësoj sikurse kishte bërë me reformat e fragmentarizuara të liberalizimit pesë vjet më parë.

Glushkovit i duheshin aleatë për të përballur Garbuzovin dhe të mbante gjallë internetin sovjetik. Por askush nuk ndodhej në atë takim. Dy karriget e mbetura bosh atë ditë ishin ato të kryeministerit dhe të sekretarit të Përgjithshëm teknokratik, Leonid Brezhnjev. Këta ishin dy njerëzit më të fuqishëm në shtetin sovjetik – dhe me gjasë mbështëtës të OGAS. Por mesa duket ata zgjodhën të mungojnë në takim sesa të përballeshin me rebelimin e një ministri.

Garbuzovi e bindi Politbyronë se projekti OGAS, me planet e veta ambicioze për të modeluar në mënyrë optimale dhe menaxhuar fluksin e informacionit në ekonominë e planifikuar, ishte shumë i parakohshëm. Komiteti, që fillimisht  gati sa nuk zgjodhi rrugën e Glushkov, ndjeu se ishte më e sigurtë të mbështeste Garbuzovin – dhe projekti OGAS, që ishte ende Tepër Sekret u la të lëngote në harresën e rishikimit edhe për një dekadë tjetër.

Forcat që rrëzuan projektin OGAS të kujtojnë ato që shpërbënë eventualisht Bashkimin Sovjetik: format e papritura informale të sjelljes së keqe insitucionale. Ministra subversivë, burokratë të prirur nga status quoja, menaxherë nervozë fabrikash, nëpunës konfuzë dhe deri edhe reformatorë ekonomikë iu kundërvunë OGAS-it sepse ishte në interesin e tyre personal brenda institucionit. Pa një financim dhe mbikëqyrje shtetërore, projekti i rrjetit kombëtar që do të inauguronte socializmin elektronik, u copëzua në vitet ’70-’80 në një mozaik laraman përbërë nga një duzinë apo më pas, qindra sisteme kontrolli lokal të fabrikavve të pandërveprueshme. Shteti sovjetik dështoi të lidhte kombin e vet jo sepse ishte shumë i ngurtë apo i shkallëzuar në projektim, por sepse ishte shumë i paqëndrueshëm dhe i dëmshëm në praktikën e vet.

Ka një ironi në të gjithë këtë. Rrjeti i parë kompjuterik global zuri fill në SHBA falë fondeve të mirërregulluara shtetërore dhe mjediseve kërkimore bashkëpunuese, ndërkohë që përpjekjet bashkëkohore për rrjetin kombëtar(dhe qartazi i pavarur) në Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike përpëliteshin për shkak konkurencës së parregulluar dhe luftës ndërinstitucionale mes administratorëve sovjetikë. Rrjeti i parë global u ngrit falë sjelljes kapitaliste si kooperativat socialiste, jo socialistëve që silleshin si kapitalistë konkurentë.

Në fatin e internetit sovjetik ne mund të rrokim një paralajmërim të qartë për të tashmen dhe për të ardhmen e internetiti. Sot “interneti” – i kuptuar si një rrjet i vetëm global rrjetesh për përparimin e lirisë së informacionit, demokracisë dhe tregëtisë – është në degradim serioz... Mbani parasysh sesa shpesh kompanitë dhe shtetet po kërkojnë të izolojnë përvojat e tyre online: aplikacioni i kudogjendur është më shumë një kopësht i rrethuar për atë që kërkon diçka me qira sesa një e mirë e përbashkët për ata që zgjedhin...E ardhmja e rrjeteve kompjuterike padyshim që ka të brendashkruar jo një internet, por disa ekosisteme të dallueshme online.

Me fjalë të tjera, e ardhmja padyshim i ngjan të shkuarës. Shekulli XX ka shumë rrjete kompjuterike kombëtare që kërkojnë statusin global. Drama e Luftës së Ftohtë për atë që mund ta quajmë, me një shkelje syri, 'rrjeti sovjetik' ose madje, në titullin e lezetshëm të historianes Slava Gerovitch, 'InterNyet Sovjetik' ndihmon për të plotësuar studimin krahasues të rrjeteve kompjuterike me një lloj studimi rastesh të internetit -1.0. I bazuar në bilancin e shumë rrjeteve të së kaluarës dhe atyre të mundshme  të së ardhmes, perceptimi se ekziston një rrjet i vetëm global është përjashtim nga rregulli. Duke patur parasysh ironinë e Luftës së Ftohtë në qendër të kësaj historie - që kapitalistët bashkëpunues i tejkaluan socialistët konkurrues - nuk funksionoi mirë për sovjetikët e dikurshëm, mbase nuk duhet të jemi shumë të sigurt që interneti i nesërm do të shkojë shumë më mirë.

Antropologu dhe filozofi Bruno Latour ka thënë dikur se teknologjia është shoqëria e bërë e qëndrueshme, me të cilën ai donte të thoshte se vlerat shoqërore janë të ngulitura në teknologji: për shembull, algoritmi i PageRank i Google vlerësohet 'demokratik' sepse, midis shumë faktorëve të tjerë, ai numëron lidhjet (dhe linket me faqet që bëjnë lidhje) si vota. Ashtu si politikanët me vota, faqet me më shumë linke renditen më lart. Interneti duket një mjet i lirisë, demokracisë dhe tregtisë sot pjesërisht sepse ai u vetëçimentua në imagjinatën tonë popullore, ashtu si vlerat perëndimore dukej se triumfonin pas Luftës së Ftohtë. Historia sovjetike e internetit gjithashtu përmbys aforizmin e Latour: po kështu edhe shoqëria teknologjike bëhet e përkohshme.

Me fjalë të tjera, ndërsa vlerat tona shoqërore ndryshojnë, do të ndryshojë edhe ajo që duket qartë në lidhje me teknologjinë. Sovjetikët dikur u dhanë vlera rrjeteve - kolektivizmi kibernetik, hierarkia e statistëve dhe ekonomitë e planifikuara - që na duken të huaja; po ashtu do të jenë të çuditshme vlerat që lexuesit modernë u japin vëzhguesve të ardhshëm të grevës në internet. Teknologjitë e rrjetit do të mbeten të qëndrueshme dhe do të evoluojnë, edhe pse supozimet tona sociale më pozitive për to shkojnë në koshin e plehrave të historisë.

Historia e Glushkov është gjithashtu një kujtesë nxitëse për investitorët dhe agjentët e tjerë të ndryshimit teknologjik se, gjenialiteti mahnitës, parashikimi largpamës dhe mendjemprehtësia politike nuk mjaftojnë për ta ndryshuar botën. Institucionet mbështetëse shpesh janë ato që bëjnë ndryshimin. Ky është një mësim i përvojës sovjetike dhe i një mjedisi mediatik i minuar vazhdimisht për të dhëna digjitale dhe forma të tjera të shfrytëzimit të privatësisë: rrjetet institucionale që pësojnë krijimin e rrjeteve kompjuterike dhe kulturat e tyre janë jetike dhe larg të qenit unike.

Rasti sovjetik i studimit na kujton se NSA-ja amerikane dhe programi i monitorimit brenda vendit  dhe Cloud i Microsoft-it janë pjesë e një tradite më të gjatë të sekretarive të përgjithshme të shekullit të XX të angazhuar për privatizimin e informacionit personal dhe publik për përfitimet e tyre institucionale.

Me fjalë të tjera, ne nuk duhet të ngushëllohemi shumë nga fakti që interneti global fillimisht evoluoi falë kapitalistëve bashkëpunues, jo socialistëve konkurrues: historia e internetit sovjetik është një kujtesë që ne përdoruesit e internetit nuk gëzojmë garanci se interesat private që mbështet interneti do të sillen më mirë sesa ato forca më të mëdha. Mungesa e vullnetit të tyre për të bashkëpunuar jo vetëm që shënoi fundin e socializmit elektronik sovjetik, por kërcënon t'i japë fund kapitullit aktual në epokën tonë të rrjetit.

Burimi: Aeon

Përkthimi me shkurtime: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.