Teatri i hipokrizisë/A është më Kulla e Sahatit simbol i Tiranës?
Lajmi doli sot se Erion Veliaj i ka dorëzuar aktores italiane Ornella Muti “Kullën e Sahatit”. Kulla në fjalë si çmim apo simbol konsiston në një rikrijim në miniaturë të Kullës së Sahatit në Tiranë, paketuar si zakonisht në një kuti luksoze. Nga ana e vet z. Veliaj ka grumbulluar disa fjali të cilat i ka artikuluar sipas këtij rendi:
Kjo është Ora e Tiranës, të cilën po ju’a dhuroj. Është kilometri zero i Shqipërisë. Të gjitha distancat maten nga Ora e Tiranës. Dhurata më e çmuar që mund të të bëjë dikush është koha – koha që kemi jetuar, koha kur krijojmë miqësi, koha kur rritemi. Ju’a dhuroj edhe në kujtim të një kohe kur unë isha ende fëmijë, kur ne shqiptarët bënim marifetet me antenat të krijuara vetë, vetëm për të parë filmat tuaj. Të falenderoj për të gjitha kujtimet e bukura
Dhe Ornella Muti - me e thënë pak si italisht - ka ribadishu:
Kam disa miq shqiptarë, të cilët më kishin thënë se kryebashkiaku juaj është shumë i veçantë. Tani mendoj se je vërtet i tillë, prandaj jam shumë e kënaqur që takoj një kryebashkiak si ju, plot ide të mrekullueshme. Herën e parë që kam ardhur në Tiranë kam qëndruar shumë pak, por tani shoh se qyteti ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Po ashtu, edhe Shqipëria ka bërë një përparim të dukshëm
Një teatër i vockël hipokrizie që nuk i hyn në punë kujt veç Lalit të Tiranës. Zonja Muti nuk ka sesi ta ketë parë Shqipërinë dhe ndryshimin e saj pse vetëm dje apo pardje mbërriti këtu. Fjalët e mira nuk prishin punë në fakt por ky inskenim është një nga ato episode ku dy njerëz flasin për njëri-tjetrin se ashtu duhet. Po të shohësh debatin që bëhet në Shqipëri dhe Tiranë për të ashtuquajturin zhvillim, do të duhet të jesh i kujdesshëm në marrje çmimesh nga duar që janë përgjegjëse për shkatërrimin e trashëgimisë.
Vetë Kulla e Sahatit në Tiranë është sot asgjë më shumë se një element dekorativ, një biçim antikuariati i artit të miniaturës në këmbët e kullave shumëkatëshe që po shpërfytyrojnë Tiranën. Dikush mund të thotë se ky është një opinion, madje një qëndrim anakronik i pakicave të zhurmshme. Mundet të jetë edhe kështu, ama e vëreta fizike, urbanistike dhe arkitektonike është se Kulla e Sahatit sot nuk është më pikë referimi i qytetit. Dhe kjo për shkak të z. Veliaj si ushtar i bindur i kryeministrit. Le të jetë ky i fundit një opinion të cilin nuk kemi si ta verifikojmë.
s.zaimi
Add new comment