Cikli i zhdukjeve masive në Tokë është 27 milionë vjet

Postuar në 11 Dhjetor, 2020 16:18

Shfarosja masive e kafshëve të Tokës - përfshirë amfibët, zvarranikët, gjitarët dhe zogjtë - ndjek një cikël prej rreth 27 milionë vjetësh, që përkon me zhdukjet masive të raportuara më parë të jetës në oqean. Ky është përfundimi i një analize të re të botuar në revistën “Historical Biology”.

Studimi zbulon se këto zhdukje masive përputhen me ndikimet më të mëdha që kanë pasur asteroidet dhe shpërthimet shkatërruese vullkanike.

Michael Rampino, profesor në Departamentin e Biologjisë të Universitetit të Nju Jorkut, dhe autori kryesor i studimit, thotë se fenomenet e shkaktuara nga faktorë të jashtëm dhe impulset e aktivitetit të brendshëm të Tokës mund të çojnë në cikle të tilla 27 milionëvjeçare si zhdukjet, ndoshta të nxitura nga lëvizja e Tokës në orbitën tonë në galaktikë.

Gjashtëdhjetë e gjashtë milion vjet më parë, 70 për qind e të gjitha specieve në tokë dhe në dete, duke përfshirë dinosaurët, u zhdukën papritmas, pasi një asteroid u përplas me Tokën. Më pas, paleontologët zbuluan se shfarosje të tilla masive të jetës detare, në të cilat u zhdukën deri në 90 për qind të specieve, nuk ishin ngjarje të rastësishme, por dukej se vinin në një cikël 26-milionëvjeçar.

Në studimin e tyre të botuar në revistën “Historical Biology”, Rampino dhe bashkëautorët Ken Caldeira nga Instituti Carnegie për Shkencë dhe Yuhong Zhu nga Qendra e NYU për Shkencën e të Dhënave, ekzaminuan të dhënat e zhdukjeve masive të kafshëve që jetonin në tokë dhe arritën në përfundimin se ato përkonin me zhdukjet e jetës në oqean. Ata gjithashtu kryen analiza të reja statistikore të zhdukjeve të specieve të tokës dhe demonstruan se ato evente ndiqnin një cikël të ngjashëm me rreth 27.5 milionë vjet.

Çfarë mund t’i shkaktojë zhdukjet masive periodike në tokë dhe në dete? Zhdukjet masive nuk janë ngjarjet e vetme që ndodhin në cikle: mosha e kratereve të goditjes - të krijuara nga asteroide dhe kometa që përplasen në sipërfaqen e Tokës - gjithashtu ndjekin një cikël që përputhet me ciklin e zhdukjes së kafshëve.

Astrofizikanët supozojnë se rëniet periodike të kometave ndodhin në sistemin diellor çdo 26 deri në 30 milion vjet, duke prodhuar ndikime ciklike, që përkthehen në shfarosje në masë. Dielli dhe planetët e tjerë lëvizin në orbitën e galaktikës së Rrugës së Qumështit rreth çdo 30 milionë vjet. Gjatë kësaj kohe, mund të ketë “shi” kometash, që kanë impakt të madh në Tokë. Këto të fundit mund të krijojnë kushte që mund të stresojnë dhe potencialisht të shkatërrojnë jetën tokësore dhe detare, duke përfshirë errësirën dhe të ftohtin, zjarret e mëdha, shiun acid dhe shterimin e ozonit.

Por kjo nuk ndodh vetëm me kërcënimin që i vjen Tokës nga hapësira. Edhe ajo që vjen nga nëntoka mund të ketë të njëjtin impakt. Të tetë rastet e shfarosjeve masive që përkojnë në tokë dhe në oqeane përputhen me periudhat e shpërthimeve të bazaltit. Edhe këto shpërthime e kanë vështirësuar jetën në tokë, duke krijuar periudha të shkurtra të ftohti ekstrem, shi acid, shkatërrim të shtresës së ozonit dhe rritje të rrezatimit. Në terma afatgjatë, këto shpërthime mund të çojnë në efekte serë në nivel vdekjeprurës dhe më pak oksigjen në oqean.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.