1.1 trilionë tonë/Pesha e asaj që ka prodhuar njeriu ia kalon biomasës
Për herë të parë në histori materialet që ka prodhuar njeriu ka gjasa ta tejkalojnë biomasën në Tokë. Një studim i publikuar sot konkludoi se kemi arritur në "pikën e kryqëzimit", në të cilën gjurma e njerëzimit është më e rëndë se ajo e botës natyrore. Pesha e rrugëve, ndërtesave dhe materialeve të tjera të ndërtuara ose të prodhuara është dyfishuar afërsisht çdo 20 vjet, dhe autorët e studimit thanë se aktualisht në total kjo peshë shkon ne 1.1 teratonë (1.1 trilionë tonë).
Ndërsa njerëzimi ka rritur konsumin e pangopur të burimeve natyrore, pesha e biomasës së gjallë - pemëve, bimëve dhe kafshëve - është përgjysmuar që nga revolucioni bujqësor për të arritur në vetëm 1 teraton aktualisht. Duke vlerësuar ndryshimet në biomasën globale dhe masën e bërë nga njeriu që nga viti 1990, hulumtimi tregoi se masa e objekteve të prodhuara nga njerëzit ishte vetëm tre për qind e peshës së biomasës në fillim të shekullit të XX. Por që nga bumi i prodhimit global të Luftës së Dytë Botërore, prodhimi është rritur në masë të tillë që ka çuar në prodhimin e një peshe të barabartë me atë të njeriut mesatarisht çdo javë.
Viti që po mbyllet mund të shënojë momentin kur masa e bërë nga njeriu peshon më shumë se biomasa, sipas studimit të botuar në “Nature”. Duke u bazuar në shumë të dhënaindustriale dhe ekologjike, studimi vlerësoi se prodhimi njerëzor llogaritet për afërsisht 30 gigatonë në vit. Me ritmin aktual të rritjes, materialet e bëra nga njeriu ka të ngjarë të peshojnë deri në tre teratonë deri në vitin 2040.
Në të njëjtën kohë, biomasa e përgjithshme është në rënie, kryesisht për shkak të prerjes së pyjeve dhe ndryshimeve të përdorimit të tokës, duke i hapur vend bujqësisë intensive. Ndërtesat dhe rrugët përbëjnë pjesën më të madhe të masës së bërë nga njerëzit, dhe trendi i ndërtimit - përfshirë zhvendosjen nga tulla te betoni në ndërtim në mesin e viteve 1950 - kontribuan në akumulimin e përshpejtuar të peshës.
Add new comment