Çatia e 8 dhjetorit

Postuar në 08 Dhjetor, 2020 13:54

Janë dy njerëz në Shqipëri që kanë dëshirë të strehohen në një ngjarje anonime si ajo e 8 dhjetorit. Që t’i bëjnë vend vetes në atë lëvizje që dashur pa dashur ka marrë rrugët e historisë dhe është glorifikuar si çdo tubim në këtë vend.

Këta të dy janë Sali Berisha dhe Edi Rama. Nuk është rastësi që këta të dy janë edhe njerëzit me më shumë pushtet në Shqipërinë e paskomunizmit. Janë bashkëautorë të shkatërrimit të Kushtetutës, themelimit të një lloj kapitalizmi klientelist, asgjësimit të thuajse çdo mundësie për krijimin e tregut, karantinimin e partive që drejtojnë dhe ngulitjen e një modeli individual të drejtimit.

Të dy këta janë pjesë e historisë së këtyre viteve të vështira, ku paqja sociale është prishur dhe dëmtuar, të ikjes së madhe, por edhe ringritjes ekonomike të individit shqiptar.

Pse atëherë kërkojnë strehë te një ngjarje e 30 viteve më parë? Përgjigja duket të jetë vetëm një: dështimi në qeverisje. Ndjesia se pushteti që u ngrit mbi ngrehinën e demokracisë së dekretuar më 8 dhjetor, nuk përligj asnjë aureolë, nuk justifikohet me asnjë propagandë.

Ndaj në kërkim të një lloj legjitimiteti dhe justifikim të pushtetit si mision, dyshja në fjalë rend te një ngjarje konsensuale, popullore ndoshta, ku ata duan të dallohen si jone pozitive, shtytëse, kur dihet fare mirë që ajo që sot shitet për rreshtim historik, është asgjë më shumë sesa moda apo instinkti i atyre që më pas u bënë politikanë. Është pak a shumë e njëjta gjë me celebrimet e komunizmit që gjetën rrugë edhe në kushtet e sterilizimit të datave fetare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.