Për Trump dhe Gjykatën e Lartë në SHBA

Postuar në 03 Dhjetor, 2020 19:48
ResPublica

 

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sistemi zgjedhor, veçanërisht ai për zgjedhjen e Presidentit, nuk është një çështje e kompetencës së Kongresit, pra e Federatës, por është e vetë shteteve. Kështu praktikisht, në SHBA ekzistojnë 50 sisteme të ndryshme zgjedhore. 

Për rrjedhojë, në parim, duke qenë ligje zgjedhore të vetë shteteteve, çdo ankesë në lidhje me to, mund të bëhet vetëm pranë sistemit gjyqësor të këtyre shteteve. Në SHBA secili shtet ka sistemin e tij gjyqësor i cili funksionon paralisht me sistemin ligjor të federatës. Kështu çdo shtet ka gjykatat e shkallës së parë dhe në varësi të madhësisë së tij ka dhe gjykatë apeli si edhe gjykatën e lartë.

Pavarësisht këtij organizimi, nëse çështjet që gjykohen në sistemin gjyqësor të këtyre shteteve prekin dhe çështje që trajtohen nga ligjet federale ose nga vetë Kushtetuta e SHBA-së, parimisht kundër vendimeve të gjykatave të larta të këtyre shteteve mund të bëhet ankim në Gjykatën e Lartë të SHBA-së.

Anëtarët e kësaj gjykate (si e çdo gjykatë tjetër federale) zgjidhen nga Presidenti me pëlqimin e Senatit të Kongresit të SHBA. Këta gjyqtarë qendrojnë në detyrë përjetë. Kjo do të thotë që ata mund të largohen vetëm nëse japin doreheqje apo nëse vdesin.

Për këtë arsye emërimi i këtyre gjyqtarëve paraqet një rëndësi të jashtëzakonshme, siç rezultoi edhe me emërimin më të fundit atë të gjyqtares Amy Coney Barrett.

Në parim një President republikan synon të emërojë gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, ata kandidatë që njihen si konservatorë, ndërsa një President demokrat synon që të zgjedhë ata kandidatë që njihen si liberalë.

Sipas kësaj qasjeje gjyqtarët konservatorë do të votojnë, në teori, pro ligjeve dhe akteve të nxjerra nga një Kongres me përbërje në shumicë republikane dhe akteve të një Presidenti republikan. Kjo do të thotë që këta gjyqtarë do të votojnë kundër akteve të një Kongresi me përbërje në shumicë demokrate si edhe kundër akteve të një Presidenti demokrat. E njëjta gjë mund të thuhet wdhe për gjyqtarët liberalë por me krah të kundërt.

Nga përbërja aktuale e Gjykatës së Lartë rezulton sa më poshtë:

  • Gjyqtari Clarence Thomas, i emëruar nga Presidenti George Bush (i vjetri) (republikan)
  • Gjyqtari Stephen Breyer, i emëruar nga Presidenti Bill Clinton (demokrat)
  • Kryetari John Roberts dhe gjyqtari Samuel Alito, të emëruar nga Presidenti George Ë Bush (i riu) (republikan)
  • Gjyqtaret Sonia Sotomayor dhe Elena Kagan, të emëruar nga Presidenti Barack Obama (demokratë)
  • Gjyqtarët Neil Gorsuch, Brett Kavanaugh dhe Amy Coney Barrett, të emëruar nga Presidenti Donald Trump (republikan)

Nga sa më sipër duket që teorikisht shumica e Gjykatës së Lartë (6 gjyqtarë), përbëhet nga gjyqtarë konservatorë. Megjithatë kjo ndarje dhe përbërje nuk përbën garanci absolute që gjyqtarët në SHBA, veçanërisht ato të Gjykatës së Lartë votojnë sipas kësaj ndarjeje dhe në favor të Presidentit apo partisë që ka propozuar emërimin e tyre. Këtë le ta ilustrojmë me dy shembuj.

Në çështjen “Trump v. Vance, 591 U.S. ___ (2020)”, Gjykata e Lartë vendosi që Presidenti i SHBA-së (në këtë rast Donald Trump), nuk gëzonte imunitet nga ndjekja penale e një Prokurori të një shteti (në këtë rast të shtetit të Neë York-ut). Në këtë çështje gjykata u nda 7 me 2, ku në përbërje të shumicës ishin dhe dy gjyqtarët që ishin emëruar deri në atë kohë nga ana e vetë Presidentit Trump, konkretisht Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh. Pra, në thelb dy gjyqtarët e emëruar nga vetë Presidenti dolën “kundër” tij.

Një tjetër çështje delikate ishte edhe mënyra e votimit me postë. Kjo lloj mënyre votimi u njoh edhe në disa shtete, për zgjedhjet e vitit 2020, ku më parë nuk njihej, si në Pensilvani. Duke qenë se kjo mënyrë votimi mendohej se favorizonte kandidatin demokrat, pasi ky kishte bërë thirrje për votimin me postë, Partia Republikane e Shtetit të Pensilvanisë u ankua në gjykatat e këtij shteti. Thelbi kryesor i mosmarrëveshjes ishte se ligji i këtij shteti njihte të vlefshëm jo vetem votat që vinin me postë deri ditën e votimit (që njihej dhe më parë), por edhe votat që postoheshin ditën e votimit dhe që vinin në qendrat e numërit deri në tre ditë mbas zgjedhjeve.

Në përfundim të procesit Gjykata e Lartë e Shtetit të Pensilvanisë, më datë 17 shtator 2020, çështja J-96-2020, vendosi kundër ankesës së Partisë Republikane. Sipas kësaj Gjykate, legjislacioni në fjalë nuk cënonte si Kushtetutën e Shtetit të Pensilvanisë, ashtu edhe Kushtetutën e SHBA-së.

Republikanët u ankuan menjëherë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku në atë moment, kjo Gjykatë kishte në përbërje 5 gjyqtarë konservatorë dhe 3 gjyqtarë liberalë. Në atë kohë sapo kishte ndërruar jetë gjyqtarja Ruth Bader Ginsburg, dhe Presidenti Donald Trump sapo kishte emëruar dhe dërguar në Senat kandidaturën e gjyqtares Amy Coney Barrett, e cila mori pëlqimin më datë 27 tetor 2020.

Pra, në teori, me një Gjykatë me përbërje në shumicë gjyqtarë konservatorë, parashikohej një fitore e lehtë e Partisë Republikane. Në fakt kjo parti kishte paraqitur një ankim prej 327 faqesh dhe fillimisht kërkonte shqyrtimin e çështjes me procedurë të përshpejtuar, pra përpara zgjedhjeve të datës 3 nentor 2020.

Megjithatë, procedurat dhe integriteti i trupës gjyqësore sollën një tjetër rezultat. Kështu, gjyqtarja e re Amy Coney Barrett, nuk u lejua që të marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështjeje pasi shqyrtimi i saj kishte përparuar dhe kjo gjykatëse nuk kishte kohë për shqyrtimin e të gjitha materialeve gjyqësore.

Nga ana tjetër me datë 28 tetor 2020, në çështjen “Republican Party of Pennsylvania v. Kathy Boockvar, Secretary of Pennsylvania, et al, 592 U. S. ____ (2020)”, në një votim 5 me 3 Gjykata e Lartë refuzoi që këtë çështje ta shqyrtonte me procedurë të përshpejtuar. Nga analiza e këtij vendimi rezulton se kundër shqyrtimit të kësaj çështje me procedurë të përshpejtuar kanë votuar 3 gjyqtarët liberalë të cilëve iu bashkuan Kryetari i Gjykatës, John Roberts, teorikisht një konservator dhe gjyqtari Brett Kavanaugh, i cili ishte emëruar nga Presidenti Trump.

Nga sa më sipër qartazi tregon që sistemi gjyqësor në SHBA nuk është pre e politikanëve dhe gjyqtarët pavarësisht nga cila palë propozohen dhe emërohen, ruajnë integritetin e tyre profesional, një fakt disi i dyshimtë ky po ta krahasojmë më standardin shqiptar.

Opinion nga studio ligjore MLC për ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.