Cilat reforma e bënë jopopullor z. Kryeministër?
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot një intervistë të dhënë për revistën “Forbes”. Është një ndër ato prezantime mediatike që i shërbejnë të intervistuarit, më shumë sesa hedhin dritë mbi problematika të ndryshme. Kush lexon intervistën krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një auto-profilizim në formën e një interviste që i shërben dhe kërkon audiencë “të ngritur”.
Unë nuk dua ta shoh Shqipërinë të bëhet një objekt zilie për aktorët e fuqishëm që veprojnë jashtë kufijve europianë. Fuqi, të cilat, për më tepër, nuk ndajnë të njëjtat standarde të demokracisë si BE
thotë ndër të tjera z. Rama që bën një deklaratë të fortë dashurie por që padashur e vendos Shqipërinë në pozitën e një kurtizaneje.
Aq e ekzagjeruar është toleranca e një “gazetarie” të tillë, saqë p.sh bën një pyetje fare pa kuptim:
Si i keni marrëdhëniet me pushtetin? E cila merr këtë përgjigje:
Sot, si Kryeministër, unë jam më i ekspozuar ndaj jopopullaritetit sepse bëhet fjalë për fillimin e reformave strukturore në nivel kombëtar…Ju duhet të jeni shumë bindës dhe i durueshëm në shpjegimin e meritave të veprimit tuaj. Më në fund, do të huazoj një citim tjetër nga presidenti Mitterrand i cili ka folur, dhe me të drejtë, për ”vetminë e udhëheqësit”. Ishte e vërtetë dje, është e vërtetë edhe sot
Kemi një paragraf ku kryeministri spekullon, në mos gënjen. Sepse ai nuk i është ekspozuar kurrfarë jopopullariteti pasi është në karrige për dy dekada. Madje ai qëndron i patundur në ambicien e vet për një mandat të tretë edhe pas dy mandateve mbushur me skandale. Rënia e popullaritetit apo më saktë pakënaqësia ndaj tij lidhet me korrupsionin tanimë lakuriq në mes të ditës dhe shuarjen e çdo shprese për ndryshim. Zoti Rama e thekson tonin që i vendos profilit të vet kur e lidh këtë jopopullaritet me të ashtuquajturat reforma strukturore. Po cilat janë këto reforma?
Në gati 8 vjet qeverisjeje dhe dominim parlamentar, nuk ka asnjë reformës strukturore që të ketë sjellë shndërrim apo prishje ekulibri saqë të presupozohet se do të kishim reaksion. Reforma në drejtësi, drafti fillestar u rrëzua nga Venencia, fitorja e tij e zgjedhjeve humbi çdo kredencial moral qëkurse u certifikua se në Parlament z. Rama kishte katapultuar njerëz me rekorde kriminale. Zoti Rama ka dështuar rregullisht në procesin e integrimit, dështoi me procesin e dialogut Serbi-Kosovë, krijoi incident me çështjen e pronave në Strasburg, shtyu drejt gjykimit ndërkombëtar marrëveshjen me Greqinë dhe tani së fundmi Venecia i rrëzoi edhe Kodin Zgjedhor. Reformat e z. Rama janë të paqena, ato thjesht janë rikualifikuar rrugës për t’i futur në shtrat kushtetues, ndërkohë që ka në kërkim kryebashkiakë dhe qëndron në Parlament si produkt i zgjedhjeve pa garë.
Për cilat reforma e ka fjalën z. Rama?
Reforma në arsim dhe shëndetësi që sot ngrihen lart janë përmirësime dhe arnime që nuk kanë sjellë asnjë transformim. Kjo nuk është keqdashje apo të flasësh vetëm keq, por realitet. ËShtë po ashtu për t’u shënuar se kjo shumicë përfaqëson ulje në cilësinë e zgjedhjeve, për të cilat akuzonte në vijimësi paraardhësit e vet. Në fund të fundit secili bën bilancin e vet dhe ne jetojmë në një vend që është po aq keq, në mos më keq se 8 vjet më parë. Dhe kjo patjetër që të bën jopopullor, ndonëse nuk të lë vetëm. Sepse z. Rama nuk është vetëm. Ai ka nga pas dhe poshtë një parti vuvësh që tundin kokën.
se.za
Comments
Reformat ne shendetesi dhe jopopullariteti i Kryeministrit
Per sa u perket reformave ne shendetesi ato qartesisht nuk jane "arnime" sic shprehet ne menyre eufemike autori i shkrimit - ato jane grisje. PPP ka qene nje koncept i zbatuar 10-20 vjet me pare ne Britani dhe ku deshtuan krejtesisht dhe vune ne gjunje sherbimin shendetesor kombetar atje (NHS). Problemi i shumices se Trusteve (njesive te menaxhimit) ne NHS jane faturat financiare dhe borxhet e mbartura per sherbime te kryera apo qira te nenshkruara dekada me pare.
Sistemi yne shendetesor eshte absolutisht lakuriq. Pertej legjendes se "mjekeve te kualifikuar dhe eksperteve te rangut boteror" Covid-19 e ekspozoi sistemin tone per aq sa ka qene. Se pari "eksperte te rangut boteror" Shqiperia nuk ka. Zor se ka edhe Italia dhe Greqia, qe e shumta kane eksperte te rangut rajonal. Ne Shqiperi kush mundi iku dhe ekspertet tane kane karriera dhe CV tmerresisht te varfra (po te kete perjashtime ato numerohen me gishtat e njeres dore). Shqiperia ka mbetur ne nivelet e Ministres sone te mirenjohur nga publiku. Qe (pa dashur te ofendoj ndonje), a thua mendon edhe vete se eshte per te bere ate pune qe ka marre persiper? Ajo eshte qartesisht si peshku pa uje ne ae detyre, nuk ka idene minimale per cfare flet e per cfare te jep pergjigje.
Legjenda e dyte eshte se "numri i vdekjeve ne Shqiperi eshte si kudo ne Europe". Genjeshter - Shqiperia ka popullesi shume me te re se Italia dhe Europa, po te vezhgosh nivelin e vdekjeve neper grupmosha Shqiperia eshte ne fund te listes.
Sistemi shendetesor Shqiptar eshte ai ku njerezit vetevriten neper spitale (ne dore te shtetit, ne spitale dhe ne burgje nuk duhet te vrase veten askush!). Ku Oksigjeni jepet shpesh ne menyre absurde, shpesh here edhe i ftohte ! Ku pacientet me COvid-19 trajtohen masivisht me antibiotike dhe ku pacientet jo-simptomatike marrin heparin qe diten e pare. Dhe kjo nuk eshte faj i mjekeve; dine ata apo jo, ata kemi. Sistemi shendetesor qe kemi ngritur nuk po i ri-afteson ata profesionalisht dhe nuk po imponon as protokollet minimale.
Problem eshte se sistemi drejtohet nga njerez me nivel te pamjaftueshem, qe nuk kane arsimimin e duhur, por qe mendojne se jane te shkathet dhe "sy per sy nuk u del njeri perpara se jane ne gjendje tu mbyllin gojen te tjereve". Kryeministri nuk ka mbaruar Universitet por Institut Artesh! Si eksperience pune ne rini te vete ka patur basketbollin. Zj Manastirlliu ka studiuar shkenca natyre, dhe ekspertet supreme te mjekesise shajne koleget dhe i etiketojne "shofere" dhe "kepucare". Kombinime unike te paditurise me vetebesimin tipik te Ballkanit te mesem, plus aftesive tipike shqiptare per dhune verbale dhe evitim te pergjegjesive.
Add new comment